Autostrada Kërçovë-Ohër mbetet pikë e zezë në rrugët e Maqedonisë. Nuk ka ditë që buletinet e policisë mos të regjistrojnë ndonjë aksident trafiku në këtë aks, i cili ka 11 vjet që po ndërtohet. E fundit ka ndodhur ditë më parë, kur mes fshatrave Botun dhe Klimeshtan, një 30-vjeçare ka dalë nga rruga me makinën e saj, duke marrë plagë të rënda. Nga 280 aksidente trafiku vitin e kaluar në zonën e Sektorit të Punëve të Brendshme në Ohër, shumica kanë ndodhur në këtë autostradë. Për shkak të kësaj situate, policia ka intensifikuar kontrollet.
“Gjatë gjithë vitit 2024 në rajonin e Ohrit kanë ndodhur 280 aksidente trafiku me 5 viktima, ndërsa gjatë vitit 2023 janë regjistruar gjithsej 300 aksidente trafiku me 2 viktima. Punonjësit e policisë duhet të jenë të pranishëm në të gjitha ato rrugë rrugore ku janë regjistruar numri më i madh i aksidenteve në komunikacion. Këtu para së gjithash mendoj për autostradën Ohër-Kërçovë në ndërtim e sipër”, tha Stefan Dimoski, zëdhënës i SPB-së Ohër.
Në rrugë mungon sinjalistika dhe shenjat e duhura dhe në shumë vende kalon nga pjesa e vjetër në pjesën e re ose anasjelltas, gjë që e bën edhe më të pasigurt për drejtimin e automjetit. Infrastruktura e dobët nga Shkupi në Ohër i frikëson edhe punëtorët e turizmit. Ata thonë se kjo është arsyeja e rënies së numrit të turistëve që shmangin shkuarjen në Ohër apo Strugë në vijë tokësore.
“Problemi më i madh është sigurisht infrastruktura. Për të shkuar në Sturgë dhe Ohër, rruga që ka 10 vite që po ndërtohet është problem thelbësor dhe dështim total këto vite, jo vetëm nga këndvështrimi i turizmit, por edhe nga këndvështrimi i gjithçka që po ndodh në rajon”, tha Ana Jançeva- punonjëse turistike.
Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Aleksandar Nikolloski, kohë më parë premtoi se një pjesë e autostradës do të hapet me fillimin e sezonit turistik.
“Deri në fillim të sezonit të ardhshëm turistik do të përfundojmë diku rreth 40 kilometra, pra autostradën nga hyrja në Ohër deri në fshatin Vërbjan, aty ku fillon Preseka, me një pjesë të vogël afër fshatit Botun, sepse aty ka rrëshqitje të madhe, e cila duhet të zgjidhet dhe deri në fund të vitit 2026, do të përfundojë menjëherë autostrada nga Kërçova deri në Ohër, që më pas do të lidhet me autostradën Kërçovë-Bukojçan”, u shpreh Aleksandar Nikolloski- Ministër i Transportit dhe Lidhjeve .
Autostrada Kërçovë-Ohër filloi në vitin 2014. 10 vitet e kaluar, numër i madh i qytetarëve kanë humbur jetën në këtë rrugë, e cila njihet edhe si “rruga e vdekjes”./Alsat.mk