Sikurse në të kaluarën, edhe në këtë periudhë të vitit vërehen vetura dhe lloje tjera të automjeteve të braktisura. Janë me dhjetëra të tilla, të cilët janë lënë në hapësira publike dhe nuk largohen. Kjo dukuri pothuajse është e pranishme dekada me radhë, dhe të gjitha pushtetet lokale në Tetovë kanë larguar me dhjetëra të tilla nga hapësirat publike, por sërish kohë pas kohe hasen automjete të tilla kryesisht nëpër trotuare. Komuna e Tetovës pothuajse dy herë në vit organizon aksione për largimin e këtyre automjeteve dhe lirimin e hapësirave publike. Aksion i njëjtë është në vijim e sipër dhe qytetarët kanë vetëm tre ditë afat që vet të largojnë automjetet e lëna në hapësira publike.
Nga Komuna e Tetovës thonë se pas tre ditëve të njëjtat do të largohen nga inspektorati komunal. “Të gjithë pronarët e automjeteve të havarisura që i kanë lënë në hapësira publike, obligohen t’i largojnë ato brenda afatit prej 3 ditësh, duke filluar prej ditës së hënë. Në të kundërtën, Inspektorati Komunal do të dalë në terren dhe do të ndërmarrë veprimet përkatëse për largimin e tyre nga hapësirat publike, në përputhje me rregulloret në fuqi. Të kontribuojmë së bashku për rend, pastërti dhe siguri në qytetin tone”, thonë nga Shërbimi për informim në Komunën e Tetovës.
Por, interesant është fakti se jo vetëm Komuna e Tetovës përballet me këtë problematikë. Edhe në komunat rurale ka automjete kryesisht të palëvizshme dhe të dëmtuara që lihen në hapësira publike. Kohë më parë largim të automjeteve kishte bërë edhe Komuna e Tearcës, e cila paraprakisht kishte vendosur njoftime dhe afat të caktuar se nëse nuk largohen nga pronarët, të njëjtat do t’i largojë vet. Nga Komuna e Tearcës njoftuan se shumica e automjeteve janë larguar nga vet pronarët. “Kur puna bëhet në bashkëpunim me qytetarët. Para disa javësh, inspektorati komunal doli në terren për të evidentuar dhe njoftuar pronarët e veturave të avarisura apo të palëvizshme që të largohen nga hapësirat publike. Njoftoj banorët e Komunës së Tearcës se shumica e veturave janë larguar nga vetë pronarët, duke respektuar rregullat dhe ligjet në fuqi. Faleminderit të gjithëve për bashkëpunimin”, ka bërë të ditur kryetari i Komunës së Tearcës, Daut Memishi.
Kryesisht, automjetet që vërehen në hapësira publike dhe që janë të palëvizshme janë të dëmtuara dhe pronarët nuk kujdesen që të njëjtat t’i dërgojnë nëpër deponi përkatëse, por i lënë në hapësira publike, në shumicën e rasteve në trotuare ose lagje periferike dhe aty qëndrojnë me vite. Pastaj, përreth këtyre veturave krijohet papastërti e madhe dhe strehim për qentë endacak. (koha.mk)


