Autobusët ndotës, kthehen nëpër rrugët e kryeqendrës

Gazetar: Mefail Ismaili

– Advertisements –

“Autobusët e vjetër të cilët punojnë me lëndën djegëse dizel përsëri do të qarkullojnë nëpër rrugët e kryeqytetit, kjo pas shtrenjtimit të çmimit të metanit, por edhe pas mospasjes së subvencioneve nga ana e autoriteteve për ato autobus të vilet qarkullojnë me metan”.

Gjithsej 21 autobus të cilët punojnë me naftë, prej disa ditësh po transportojnë qytetarët nëpër kryeqytet, shkruan Alsat.

Këto autobusë u hoqën nga përdorimi për shkak se ishin njëri nga faktorët kryesor të ndotjes së ajrin. Nga ndërmarrja “Slloboda prevoz” thonë se Qeveria dhe Qytetit i Shkupit ende nuk u janë përgjigjur zyrtarisht nëse do i subvencionojnë autobusët me metan.

“Ajo që na mbetet është ajo që e paralajmëruam, ne i larguam nga përdorimi autobusët me CNG dhe i aktivizuam autobusët më të vjetër”, deklaroi Lenin Jovanovski, Slloboda Prevoz.

Transportuesit privatë thonë se autobusët e vjetër do të qarkullojnë deri kur çmimi i metanit të ulet si më parë.

“Derisa nuk ka ndërhyrje në situatën me CNG-në siç kjo është bërë në të gjitha shtetet, ne do ti lëmë këto autobusë jashtë përdorimit, gjithçka varet nga çmimi në bursën botërore të CNG-së, pasi siç po e shohim se këtu tek ne nuk ka asnjë lloj intervenimesh”, tha Lenin Jovanovski, Slloboda Prevoz

Në tre muajt e fundit, çmimi i metanit nga rreth 45 denarë u shtrenjtua në 110 denarë. Ndërmarrjet për Qarkullim publik në Shkup dhe transportuesit privatë, kërkuan zyrtarisht nga Qyteti i Shkupit dhe Qeveria që ti subvencionojnë me 50% për shpenzimet për autobusët e tyre të cilët punojnë me metan. Por si Qeveria dhe Qyteti i Shkupit, njoftuan për Alsat se nuk kanë planifikuar subvencionime./Alsat.mk