10 Janar
Reformat në ndjekjen e telekomunikimeve të kthehen nga fillimi dhe të zgjidhet një model i ri që do të garantojë se nuk do të ketë keqpërdorime të sistemit për përgjim. Ky është rekomandimi që dërguan disa ekspertë dhe përfaqësues të sektorit OJQ në debatin e sotëm që e organizoi Lëvizja Evropiane në Republikën e Maqedonisë. Shkurtimisht, për diskutuesit, formimi i Agjencisë së re Teknike Operative jashtë DSK-së si organ ndërmjetësues që do të zbatojë përgjimin, nuk është garanci e mjaftueshme që keqpërdorimet e mëhershme me përgjimet nuk do të përsëriten.
“ATO-ja prej një kilometri larg shihet se është foshnje e UDBS, do të thosha, e DSK-së… Propozimi im është që këtë trup të mos e formojmë meqë kërkon shpenzime. Nëse ne nuk kemi prej tij epilog të garantuar pozitiv, se ky trup me të vërtetë do të jetë i ndarë nga DSK-ja”, tha Gordan Kallajxhev, profesor universitar.
“Për mua problemi themelor është, sa janë njerëzit në polici besnik ndaj shërbimit, sa mirë e përfaqësojnë shërbimin, sa me ndërgjegje, profesionalizëm e përgjegjësi e ushtrojnë punën e tyre”, deklaroi Lupço Arnaudovski, profesor universitar në pension.
“Konsiderojmë se shumica e zgjidhjeve që ofrohen nuk janë përpunuar në mënyrë cilësore dhe të njëjtat duhet, thjeshtë, të premtojnë se do të jenë zgjidhje cilësore që ofrojnë zgjidhje afatgjate”, u shpreh Trpe Stojanovski.
Krerët e dikasterit të Brendshëm vazhdojnë të jenë të bindur së pas formimit të Agjencia Teknike Operative, përgjimet nuk mund të keqpërdoren. Megjithatë, në propozim-ligjet që tashmë janë proceduar në Kuvend, nuk potencohen kriteret e profilizimit të të punësuarve, përzgjedhja dhe filtrimi i mundshëm i tyre gjatë kalimit nga DSK-ja ose institucionet tjera të shërbimit sekret, në kuadër të Agjencisë së re. Nga MPB-ja nuk bëjnë të ditur sa të punësuar do të ketë Agjencia dhe sa do të kushtojë themelimi dhe vënia e saj në funksion. Kohë më parë, ministri Spasovski u shpreh i bindur se asnjë institucion nuk do të mund të marrë të dhëna dhe materiale të përgjuara nga Agjencia, pa urdhër gjyqësor për këtë. Institucioni që kërkon masën e përgjimit nga ATO-ja nuk do të ketë njohuri për kërkesat e institucionit tjetër për ndjekjen e numrave të caktuar dhe as nuk do të mund të bëjnë shkëmbim të informatave të marra nga Agjencia.
Alsat-M

