Papa Françesku ka pasur dy episode të insuficiencës akute të frymëmarrjes këtë të hënën, njoftoi Vatikani. Kjo situatë tregon se trupi nuk është në gjendje të marrë mjaftueshëm oksigjen ose të heqë mjaftueshëm dioksid karboni përmes frymëmarrjes.
“Në ditën e sotme, Ati i Shenjtë përjetoi dy episode të pamjaftueshmërisë akute të frymëmarrjes, të shkaktuara nga një grumbullim i rëndësishëm i mukusit endobronkial,” thuhet në njoftimin e fundit mjekësor.
Po ashtu, Papa ka vuajtur dhe një bronkospazëm, i ngjashëm me një sulm astme, që kërkoi që mjekët të kryenin dy bronkoskopi, procedura për të vlerësuar kalimin e ajrit.
“Për të ndihmuar në frymëmarrje, Papa ka përdorur ventilim mekanik jo-invaziv,” thuhet në njoftim.
Vatikani shtoi se prognoza për Papën mbetet e paqartë, që do të thotë se ai nuk është ende jashtë rrezikut.
Kujtojmë se Papa po qëndron në spitalin Gemelli në Romë që prej 14 shkurtit dhe nuk është parë në publik që atëherë. Ai u pranuar në spital me një infeksion të rëndë të frymëmarrjes, që shkaktoi dhe komplikime të tjera.