Athina zyrtare i mban në nivel të ulët pritjet nga vizita e ministrit të Punëve të Jashtme Nikos Koxias në Shkup i cili megjithatë tani për tani, nuk zbulon kurrfarë detaje për bisedimet që i zhvillon gjatë vizitës së tij kthyese, shkruan “To Vima”.
Sipas informacioneve të gazetës, Athina “do të tentojë të mbahet në linjën e mesme, ku nga njëra anë, nuk do të lejojë që autoritetet e Maqedonisë ta monopolizojnë konstruktivitetin e saj dhe nga ana tjetër, do të tregojë se ende nuk janë krijuar kushte për zgjidhje të shpejtë për çështjen e emrit”.
“To Vima”, si dhe të gjitha mediat e tjera greke deri më tani informon se Koxias dhe shefi i diplomacisë së Maqedonisë, Nikolla Dimitrov do të bisedojnë para së gjithash, për masat për ndërtimin e besimit, por Athina, “gjoja, është e vendosur t’i potencojë edhe lëvizjet provokuese të Shkupit, siç ishte rasti me konsullin e Maqedonisë në Toronto, Pallashevski”.
“Kuptohet, vështirë është për tu besuar se dy ministrat nuk do të bisedojnë aspak për emrin”, shkruan gazeta, duke shtuar se nuk priten kurrfarë befasi.

