Policia e Gjirokastrës po vazhdon kontrollet intensive për gjetjen e autorëve të atentatit të kryer në Memaliaj, mbrëmjen e së shtunës (20 korrik), pak para mesnatës, ku mbetën viktima Shyqyri Kalemi, Gledio Muka dhe Marsel Çela, ndërsa i plagosur Artur Kalemi.
Kreu i Policisë Gjirokastër, Ardian Çipa, po drejton të gjitha veprimet për zbulimin e gjithë dinamikës së krimit të ndodhur, ku humbën jetën padrejtësisht kamerieri dhe klienti i lokalit për shkak të breshërive të plumbave që kishin si shënjestër të atin e Andrea Kalemi, Shyqyriun Kalemi.
Deri më tani janë ushtruar 25 kontrolle në Memaliaj, Tepelenë, Vlorë, Fier, Elbasan, Tiranë, Lezhë dhe Shkodër.
Referuar burimeve, 27 persona janë shoqëruar në ambientet e policisë, por autoritetet ende nuk kanë asnjë emër të autorëve.
Siç raportohet, pas atentatit qëndrojnë dy persona, njëri prej të cilit drejtonte automjetin tip BMË, ndërsa tjetri të ketë kryer sulmin me armë.
Kujtojmë se makina u gjet e djegur në fshatin Bejaj të Mallakastrës, teksa brenda saj u konstatuar armë zjarri, të dyshuara si të përdorura në atentatin në Memaliaj.