Ardit Mehmetaj
Hyrje
Shkrimtari peruan, Mario Vargas Llosa është ndër romansierët kryesorë që e përfaqësojnë Amerikën Latine kudo në botën e madhe të letërsisë. Romanet e tij janë prej më të ndryshmeve, si romane erotike, autobiografike, politike e historike. Ai është fitues i Çmimit Nobel për Letërsi në vitin 2010. Pas këtij çmimi, saktësisht më 2016, ai e shkroi romanin “Pesë qoshet”, i cili është, kushtimisht të themi, roman i motivuar. Biografia e tij shpeshherë mund të jetë e panevojshme, por kur lexohet ky roman i tij, është e domosdoshme njohuria mbi biografinë e autorit. Ai, përveç shkrimtar, ka qenë edhe gazetar e më vonë edhe politikan. Prandaj, dy nga temat themelore të këtij romani janë gazetaria dhe politika, fusha këto të cilat i kishte prekur e kishte jetuar me to edhe vetë Llosa. Ai kishte kandiduar në zgjedhjet presidenciale peruane në vitin 1990, të cilat i kishte humbur nga Alberto Fujimori, që është njëri ndër personazhet e këtij romani. Llosa këto zgjedhje i kishte kontestuar menjëherë pasie kishte kuptuar humbjen. Madje ai disa herë e ka shprehur haptas kritikën e tij për Fujimorin duke e akuzuar si njeri tëkorruptuar, diktator e kriminel. I tillë Fujimori del edhe në romanin e tij. Për këtë arsye mund të themi se në roman është e vështirë ta dallojmë se kur shkruan Llosa – Shkrimtar dhe kur shkruan Llosa – Politikan.
Shumësia e temave është karakteristikë e romanit pasi ai bashkon katër tema themelore: politikën, korrupsionin, gazetarinë dhe erotikën. Në roman megjithëse kemi të pranishme faktin, në anën tjetër e gjejmë trillin, kjo pasi kemi personazhe e ngjarje reale e fiksionale si një larushi që autorie realizon qëllimshëm. Por, megjithëkëtë, autori na thërret ta lexojmë si një vepër fiksionale mirëfilli letrare. Pra, disa nga personazhet reale të mos shihen të atilla, si dhe disa nga ngjarjet e vërteta të mos shihen si dokumentaritet, por si trill. Kështu, analiza e këtij romani do të përqendrohet në dy aspekte themelore: në aspektin social dhe në aspektin politik.Kjo, pasi që gjithnjë pushteti dhe shoqëria janë pashmangshëm të lidhura njëra me tjetrën. Është e para që vjen si pasqyrim i së dytës, siç ndodh edhe në roman, pasi që kurrsesi një qeveri e korruptuar s’mund të jetojë në një popull të pakorruptuar.
Aspekti social në romanin “Pesë qoshet”
Në romanin “Pesë qoshet” të Mario Vargas Llosas na paraqitet shoqëria peruane e viteve të ’90-ta. Atje, nuk kemi tri lloje shtresash siç ndodh rëndom në shtetet normale, ku mes shtresës së ulët dhe shtresës së lartë, kemi shtresën e mesme si dominante. Në Perunë e asaj kohe shtresa mesatare ishte inekzistente. Dominonte shtresa e ulët, që udhëhiqej e në shumë raste edhe shfrytëzohej nga e larta. Shumë nga personazhet pranojnë të bëjnë punë të ndyra, të jenë mashë e pushtetit, t’u shkilet me vetëdijen e tyre të plotë dinjiteti, vetëm për të fituar pak para për mbijetesë. Në të tilla raste, kur varfëria është e përmasave të mëdha, dinjiteti është luks për njerëzit. Në saje të kësaj, Rolando Garro pranon të punojë si një gazetar që bën punë të ndyra, që i shkilet dinjiteti e i rrezikohet jeta çdo ditë, vetëm për të fituar disa para. Kemi edhe rastin e Seferinos, i cili punon si fotograf në revistën Destapes, e që pranon të fotografojë në një orgji seksuale, duke e rrezikuar jetën e tij, vetëm për 500 dollarë, të cilat nuk i merr kurrë. Pikërisht ato fotografi detyrohet nga kushtet e rënda financiare t’ia dorëzojë kryeredaktorit të tij vetëm për të fituar disa para më shumë “I detyruar nga nevoja ekonomike. Unë jam i martuar, kam tre fëmijë dhe punoj për kafshatën e gojës, siç thotë shprehja. Njëri nga fëmijët e mi, më i vogli, u sëmurë nga fruthi i zi. Kisha nevojë urgjente për të holla, pasi kursimet e mia bankare ishin zero”. Rast tjetër i kësaj natyre që buron pikërisht nga skamja është edhe pranimi i fajit të poetit dhe recituesit veteran Huan Peineta, të cilit pasi gjyqësori i siguron jetë të mirë, ushqim të mjaftueshëm e disa benifite të vogla, ai pranon një krim të pabërë, vrasjen e Rolando Garros. Pra, shoqëria është tejet e varfër. Varfëria krijohet qëllimshëm nga institucionet qeverisëse pasi vetëm të varfërit mund të kontrollohen, pikërisht të varfërit mund të korruptohen më lehtë dhe një popull i korruptuar gjithnjë është terren i lehtë për të operuar sistemet autoritare.
Peruja që përshkruhet në romanin e Llosës është vend ku përzihet privatja dhe publikja. Për personin publik zhduket privatja. Secili person publik ndjeket nga pushteti përmes medieve dhe kjo ndikon në tjetërsimin e mënyrës së jetesës së tyre. Pra, privatja dhe publikja bëhen një: publike. Përveç kësaj, është edhe terrorizmi ai që ndryshon formën e jetesës dhe e dikton atë. Kemi ngjarjen me të cilën hapet romani, kur Çabela dhe Marisa kryejnë aktin seksual, të cilën shumë studiues e shohin si perversitet. Aty është terrorizmi shkak, pasi në të tilla raste shoqërore, kushdo që shkon diku në orë të mbrëmjës detyrohet që ta kalojë natën në atë vend. Kështu veprojnë edhe dy personazhet e Llosës, të cilat nga frika flejnë bashkë dhe pastaj edhe ndodh akti i shthurjes seksuale. Po të mos kishte terrorizëm gjithandej, të dy gratë s’do ta kalonin natën bashkë. Pra, niveli i sigurisë shoqërore në Perunë e asaj bote ishte zero. Shkaktar ishte pikërisht pushteti i cili nepërmjet medieve dhe terrorizmit kontrollonte masën dhe diktonte mënyrën e jetesës.
Shoqëria peruane e asaj kohe ishte shoqëri e cila jetonte në shtetrrethim. Shoqëri e cila jetonte në orë policore. Në të tilla raste, kur shteti e detyron mbylljen dhe indirekt e imponon tjetërsimin e zakoneve të njerëzve, bashkë me zakonin ndryshojnë edhe njerëzit. Mjetet financiare zvogëlohen dita e ditës dhe varfëria shtyen drejt akteve të papranueshme në situata normale. Shoqëria në të tilla raste ndryshon në çdo sferë. Shoqëria korruptohet më lehtë siç edhe ndodh në roman. Shoqëria bëhet më agresive dhe thuajse jeton në bazë të instiktit të mbijetesës, ku çdo gjë i lejon vetes vetëm për të siguruar bukën e gojës. Kur pasiguria bëhet zakon, ajo nuk i frikëson më njerëzit, por i tjetërson. Aty, ku nuk dihet kush kë, përse e vrau krijohet klima e atillë që ndryshon çdo gjë.
Element tjetër në roman është edhe përballja e dy shtresaveshoqërore që kushtimisht mund të emërtohen si Aristokraciaversus Skllavëria, ku shtresa e parë privilegjohet nga pushteti i cili nuk do probleme me njerëz të fuqishëm si ata, kurse shtresa e dytë shtypet çdo ditë, varfërohet çdo herë e më shumë qëllimshëm që të kontrollohet më lehtë.
Tek Llosa kemi personazhe të shumta dhe komplekse, të cilët përfaqësojnë disa pushtetin, disa oligarkinë e disa të tjerë mjerimin e varfërinë. Personazhet e pushtetit janë gjeni të së keqes, ata mendojnë veprime të këqija e bëjnë plane komploti. Personazhet që përfaqësojnë oligarkinë, pasi janë njerëz që janë të përmbushur në të gjitha fushat, eksperimentojnë dhe bëjnë veprime perverse si tradhti e orgji seksuale. Ata që përfaqësojnë shumicën janë personazhe të tronditura, ku mishërimi më i mirë i tyre është Huan Peineta, i cili përveç i varfër dhe i harruar, nga tronditja që kishte pësuar harron çdo gjë dhe ka shenja çmendurie shumë shpesh. Duke i pasur parasysh të gjitha këto elemente, mund të bëjmë një konkluzëse Llosa me “Pesë qoshet” ka shkruar një roman të kritikës sociale.
Aspekti politik tek “Pesë qoshet”
“Pesë qoshet” është roman tipik politik. Në të mund ta gjejnë veten të gjitha shtetet e vogla, sidomos ato që janë në tranzicion, që kanë dalur nga një sistem e janë futur në një tjetër që ende s’është konsoliduar, siç është puna e shteteve tona shqiptare. Në roman kemi histori të panumërta intrigash të cilat i bëjnë gazetarët dhe lojën e keqe që e luan pushteti politik duke e përdorur gazetarinë si mjet për t’i denigruar kundërshtarët politik, figurat e famshme të artit dhe oligarkët e njerëzit që i takojnë elitës së lartë siç është Enrike, një ndër pasanikët më të mëdhënj të Perusë.
Ngjarjet zhvillohen në Perunë e vitit 1990, e cila nën regjimin e Fujimorit, gjendej brenda një kaosi të pashoq pasi kishte terrorizëm gjithandej, hedhje bombash e kidnapime, mungesë të energjisë elektrike, vjedhje e shantazhe. Vendi ishte në shtetrrethim dhe pasiguria kishte arritur në të gjitha sferat jetësore. Gazetat, televizionet e radiot i kontrollonte pushteti për të manipuluar masën. Në roman na shfaqet rasti tipik i një shantazhi që vjen pikërisht nga pushteti përmes gazetës Destapes, ku Rolando Garro, kryeredaktori i gazetës, pasi i siguron disa fotografi nga shefi i inteligjencës peruane, Doktori, shkon dhe e shantazhon Enriken, njërin nga pasanikët më të mëdhenj të vendit. Shantazhi i tij nuk është direkt, pasi që zhvatjes Rolando Garro i thotë investim në gazetën e tij. Enrike nuk pranon të shantazhohet, duke pranuar kështu t’i vuaj pasojat e mospranimit, ndërsa Rolando vepron me mllef dhe i publikon fotografitë e Enrikes nga orgjiaseksuale, në të cilën ai kishte marrë pjesë. Këtu, pra e kemi shtetin, që përfaqësohet nga Doktori si shef i inteligjencës dhe si numri dy i Perusë, pas presidentit Fujimori, i cili organizon orgji, fton figura nga elita oligarkike siç është Enrikeja, që ishte inxhinier minierash, i deh ata dhe i shfrytëzon duke u bërë fotografi atyre. Kështu, kemi pushtetin, i cili qëllim kryesor ka ruajtjen e pushtetit dhe në saje të këtij qëllimi vepron me maksimën makiaveliste duke legjitimuar çdo lloj mjeti që i del përpara si frikësimin e kundërshtarëve politik përmes shpifjeve, shantazheve, kërcënimeve, rrëmbimeve, zhvatjeve, blerjeve e të tjera.
Gazetarët, të cilët janë vegla të pushtetit, bëjnë çdo gjë, kurthe e shpifje të ndryshme, vetëm për të bërë lajm. E tillë është edhe gazetarja e re, redaktorja e Destapes, Shkurtabiqja e cila “Ishte një gazetare e re e lindur dhe e sojit të tij, e aftë të vriste edhe nënën e vet për një lajm ekskluziv, sidomos po të ishte një lajm i ndyrë dhe i turpshëm”. Ajo është trashëgimtare e Rolando Garros tek Destapes, i cili vritet nga Doktori, këshilltari i Fujimorit, pasi ai vepron dhe boton pa konsultimin e tij. Gazetarët në sisteme të tilla totalitare janë vetëm mercenarë dhe në momentin që s’e bëjnë atë që kërkon qeveria dhe s’janë një linjë më të, ata ekzekutohen. Në sistemin autoritar liria e shprehjes është zero. Aty janë vetëm dy mundësi: ose të jesh i lirë në mendim e veprim dhe të shpallesh armik i sistemit e më pastaj të luftohesh, ose të jesh vegël e sistemit dhe të implementosh çdo gjë që të kërkon ai. I tillë është regjimi i Fujimorit për të cilin shkruan Llosa.
Në roman kemi një kthim të hatashëm, ku Shkurtabiqja, nga një gazetare mercenare, shndërrohet në një gazetare parimore. I flakë të gjitha të mirat që gëzon duke i shërbyer shefit të Shërbimit Sekret Shtetëror, Doktorit. I kundërvihet atij. I regjistron bisedat me të dhe e argumenton se ai e ka vrarë ish – kryeredaktorin e saj, Rolando Garron. Bën numër të ri të revistës Destapes dhe i sqaron të gjitha këto. Pra, ajo rrezikon jetën e saj dhe të bashkëpunëtorëve të saj për jetësimin e lirisë së shprehjes në shtetin e Perusë. Pushteti diktatorial bie, lirivrasësit burgosen. Terrorizmi, atentatet, grabitjet, pengmarrjet e shantazhet pakësohen dukshëm dhe në krye të qeverisë vjen një figurë tjetër. Qytetarët jetojnë të lirë e të lumtur, kurse Shkurtabiqja bëhet gazetarja më e famshme e vendit, si dhe emisioni i saj më i shikuari në shtetin e Perusë. Këtu autori e shpërfaqë fuqinë mediale, të cilët mund t’i mbajnë diktatorët në pushtet, por edhe t’i rrëzojnë ata nga pushteti.
Pra, Mario Vargas Llosa tregon fytyrën e diktaturës së kohës duke e portretizuar atë si sistem gjakatar, të cilit ia shpërfaq edhe veprimet më të errëta. Për autor të romanit kemi shkrimtarin si ex-politican, i cili godet dhe përbuzëpolitikanët autoritarë, që këshilltarë kanë njerëz të tillë si Doktori, që është personazhi më satanik dhe keqbërës në roman. Në tërë hierarkinë pushtetare, që nga Fujimori e deri poshtë piramidës shtetërore, kemi vetëm gjurmë korrupsioni të cilat shtetin e Perusë e paraqesin si një vend banditizmi moral, seksual, dhe politik, ku pushteti e njollosë çdo gjë që i del përpara e i zë rrugën. Personazhet në roman, në këtë rast politikanët dhe gazetarët, janë njerëz pa ndërgjegjie dhe mungesa e ndërgjegjes është pikërisht në faktin se ata kanë krijuar idealizma të rremë, në saje të të cilave u lejohet gjithçka. Duke e pasur ideal pushtetin dhe duke u shndërruar në idealistë fanatikë të tij atëherë nuk pritet asgjë tjetër përveç dhunës pasi gjithnjë idealisti fanatik është i dhunshëm. Atë që s’mund ta bëjë i vetëm si individ, e bën në emër të idealit të tij, i cili shërben si ombrellë për të mos e vrarë ndërgjegjia. Sipas idealistëve fanatikë ideali legjitimon dhunën pasi që dhuna është vetëm mjet në përjetësimin e idealit. Të tillë janë Fujimori e Doktori. Të tillë sot kemi kudo nëpër botë. Në këtë kuptim, Llosa përmes konkretes godet një fenomen universal që sot është i përhapur në përmasa globale.
Përfundim
Romani “Pesë qoshet” nga Mario Vargas Llosa është shprehje e së keqes. Është roman që e shpërfaqë dhe e kritikon pushtetin autoritar të Perusë së viteve të ’90-ta. Është roman që e shpërfaq relacionin shoqëri – pushtet, ku e dyta fillimishte tjetërson të parën e pastaj edhe e kontrollon atë. Është roman që e paraqet relacionin mes pushtetit dhe shtypit, ku të dyja e shfrytëzojnë njëra – tjetrën. Shtypi e përdorë pushtetin, njëkohësisht pushteti e përdorë shtypin dhe e heq qafe atë kurdo që ka dëshirë, siç është rasti i eleminimit të gazetarit Rolando Garro, i cili vritet në momentin që nuk i shërben më pushtetit. Por, gjithsesi romani jep mesazhin se fuqia e shtypit është shumë më e madhe se ajo e pushtetit pasi një gazetari e mirë mund të eleminojë edhe pushtete autoritare, duke e informuar mirë masën dhe duke e informuar edhe gjyqësorin, siç ndodh në romanin e Llosës, ku Shkurtabiqja bëhet shkak që të rrëzohet ai sistem totalitar që veçse ishte i instaluar.
Romani megjithëse përbëhet nga ngjarje që i fakton historia, si dhe nga personazhe reale në anën tjetër, përsëri nuk kalon në dokumentaritet pasi e kemi pjesën letrare, atë të trillit, e cila romanit i jep një ngjyrim universal si goditje e një fenomeni që ndodh kudo pasi pushtete totalitare që kontrollojnë, gazetari të keqe që shërben e shoqëri të tronditura mund të kemi kudo e kurdo.
Literatura:
LLOSA, Mario Vargas: PESË QOSHET, SKANDERBERG BOOKS, Tiranë, 2017