Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Edmond Spaho, ka vënë në dukje mungesën e reagimit nga udhëheqësit e PD-së për nisjen e gjyqit ndaj ish-presidentit Ilir Meta dhe refuzimin për transmetimin publik të seancës.
Në një postim në rrjetet sociale, Spaho thekson se asnjë drejtues i PD-së nuk ka folur apo protestuar për mbajtjen në kafaz të Metës, duke e konsideruar këtë një shenjë se partia dhe kryetari i saj, Sali Berisha, kanë harruar lidhjet me Partinë e Lirisë dhe ish-presidentin.
Ai kujton rastet kur LSI, sot Partia e Lirisë, ka ndihmuar PD-në për të fituar pushtetin dhe i referohet pasojave negative kur kjo e fundit nuk ka qëndruar krah saj.
Spaho thekson se sot asnjë drejtues i PD-së nuk ka reaguar për gjyqin ndaj Ilir Metës dhe refuzimin e transmetimit për publikun, duke e cilësuar këtë “turp” për partinë dhe disa deputetë të saj që kanë përfituar nga lidhjet me Metën dhe PL.
“Unë nuk di nëse Ilir Meta është apo jo fajtor, por ai kishte të drejtë për të dy çështjet e ngritura dhe duhej mbështetur fort. Ndoqa sot (dje) gjyqin ndaj Ilir Metës dhe reagimin e politikës, veçanërisht opozitës për mbajtjen e tij në kafaz dhe refuzimin për transmetimin e gjyqit për publikun.
M’u kujtuan shumë ngjarje të së shkuarës ku kam qenë dëshmitar:
LSI solli PD në pushtet në zgjedhjet e vitit 2005. Pa votat që LSI me kandidatët e saj i hoqi PS, opozita nuk vinte në pushtet.
LSI e mbajti PD në pushtet në 2009 me katër mandatet e saj.
PD nuk preferoi të bashkohej me LSI në zgjedhjet e vitit 2017. Bëri marrëveshje për bashkëqeverisje me Edi Ramën. Rezultati katastrofik dihet.
Për objektivat politike, por idiotë, të PD, LSI pranoi të djegë mandatet në vitin 2019.
LSI me qëllim nuk u pranua si pjesë e listave të përbashkëta të opozitës në zgjedhjet e vitit 2021. Për këtë humbëm zgjedhjet me 30 mijë vota diferencë me PS.
LSI e mbështeti Rithemelimin si të ishte pjesë e tij.
Sot asnjë udhëheqës në PD nuk foli dhe protestoi, qoftë edhe formalisht, për Ilir Metën që e mbajnë në kafaz dhe që nuk pranojnë që gjyqi të transmetohet për publikun.
PD ka harruar aleatin e saj LSI/PL dhe Berisha e harroi Metën.
Turp i madh edhe për disa deputetë të PD të cilët kanë ngrënë bukë në politikë për shkak të lidhjeve me Metën dhe PL.
Unë nuk di nëse Ilir Meta është apo jo fajtor, por ai kishte të drejtë për të dy çështjet e ngritura dhe duhej mbështetur fort”, shkruan Spaho.


