Koordinatori nacional për NATO, Stevo Pendarovski deklaroi sot se më 18 dhe 19 tetor fillon zyrtarisht procesi i negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, raporton Tv Shenja. “Procesi duhet të përfundojë në dhjetor. Në janar vendi do të nënshkruajë protokollin. Anëtarësimi do të bëhet pasi që vendet anëtare ta ratifikojnë protokollin”, tha Pendarovski.
Ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska deklaroi se fillimi i ngociatave për anëtarësim në NATO po shkon paralelisht me diskutimin që po zhvillohet në Kuvend për ndryshimet kushtetuese. “Këto dy procese do të varen nga njëra-tjetra. Askush nuk ka të drejtë ta marrë shpresën që u krijua pas ftesës”, deklaroi Shekerinska.
Ministri i Jashtëm, Nikolla Dimitrov ka deklaruar se tashmë përfundimisht e gjetëm rrugën. “Greqia zhbllokoi rrugën. Ne morëm përsipër përgjegjësinë. Procesi tash është në duar të deputetëve të Kuvendit”, theksoi Dimitrov.

