Alsat 2019-05-20T15:26:26+02:00
Me kërkesë të opozitës, të parashtruar në formë amendamenti, mandate i drejtorit të Agjencisë për Siguri Kombëtare do të jetë vetëm katër vjet dhe jo pesë, siç parashikon propozim-ligji. Amendamenti u pranua gjatë shqyrtimit në Komisionin për mbrojtje në të cilin u shqyrtua ligji për formimin e ASK-së, institucion që do të zëvendësojë Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim. Përveç kësaj, Ministria e Brendshme si propozues i ligjit, pranoi edhe uljen e kritereve për përzgjedhjen e drejtorit.
Me nenet paraprake ngushtohet shumë rrethi i kandidatëve të mundshëm për drejtorë dhe nëse ka hapësirë diku të tolerohet që të ketë mbulim më të gjerë për drejtor të mundshëm, ta bëjmë këtë dhe vlerësuam se duhet të ulet kriteri për përvojë punë. Gjithsesi 12 vite përvojë pune nuk janë pak- deklaroi Emil Dimitriev, deputet i VMRO-DPMNE-së.
Në Komision kishte debat edhe sa i takon shfrytëzimit të mundësisë për vëzhgim nga bashkëpunëtorët e ASK-së dhe mundësinë që ky term të keqpërdoret për t’u siguruar edhe materiale audio dhe fotografi të përsonit ose grupit target që ndiqet. Ministri Oliver Spasovski sqaroi se “vëzhgimi” në këtë rast nuk nënkupton sigurimin e materialeve që dokumentohen.
Në ligjin për ndjekjen e telekomunikimeve janë paraparë tre masa për ndjekjen e komunikimeve kur për këtë jep mundësi gjykata në pjesën e procedurës penale. Agjencia për Siguri Kombëtare nuk punon në bazë të ligjit për Procedurë Penale por mbledh informacione. Nëse kemi situatë ose kemi dyshime se ndonjë grup i organizuar ose jo, ose individ, ka gjasa të bëjë ndonjë vepër penale, atëherë dihet se cila është procedura; kyçet Byroja për Siguri Publike, gjykata etj, me qëllim që kjo të dokumentohet- deklaroi Oliver Spasovski, ministër i Brendshëm.
Debati në Komisionin për mbrojtje vazhdon deri në shqyrtimin e të gjithë 91 amendamenteve të propozuara nga deputetët. Agjencia për Siguri Kombëtare duhet të fillojë me punë në qershor dhe pritet të jetë pjesë e rëndësishme e raportit të progresit për reforma në shërbimet e sigurisë.
Fatlume Dervishi
Loading…



