“Përgjigja më e qartë dhe më e sinqertë për grupimin politik të quajtur VLEN u dha të enjten nga foltorja e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, ku vetë kryeministri aktual Hristijan Mickoski sqaroi publikisht se kryeshefi i tyre politik, Arben Fetai, kishte shpifur në deklaratat e bëra në një emision televiziv. Kjo nuk ishte vetëm një ekspozim i radhës, por një konfirmim institucional i asaj që Aleanca për Shqiptarët ka paralajmëruar prej muajsh – se VLEN është projekt i kapur dhe i kontrolluar nga qendra e pushtetit”, theksohet kjo në një reagim të Aleancës për Shqiptarët.
Më tej thuhet se në historinë politike të këtij shteti nuk mbahet mend që dikush të ketë kaluar në opozitë nga “presioni” – përjashto rastet kur kapja e tyre me afera e dosje i detyron t’i binden pushtetit.
“ Sot, të vetmit që heshtin dhe nuk reagojnë ndaj shkeljeve të Mickoskit janë eksponentët e VLEN-it, që kanë zgjedhur të qëndrojnë në krah të një pushteti antishqiptar në këmbim të lirisë së tyre personale.
Kjo heshtje e turpshme dhe kjo përulje politike nuk është as strategji dhe as kompromis – është vetëvrasje politike, është shkelje e interesit kombëtar dhe tradhti ndaj votuesit shqiptar.
Përderisa liderët e VLEN-it janë të zënë duke shpifur, duke sajuar kurthe dhe duke u përballur me presionet që vijnë nga sirtarët e Mickoskit, nuk mund të ketë as platformë politike, as bashkëpunim institucional e as ideal kombëtar. Aty ku mbretëron spiunazhi, shantazhi dhe mashtrimi, nuk ka vend për të ardhme të përbashkët – ka vetëm pazare politike dhe përulje.
Elektorati shqiptar nuk mashtrohet më nga fasada e “besëlidhjes” që tenton të shesë VLEN. E vërteta është se liderët e këtij grupimi janë kthyer në kukulla të një pushteti që nuk i fsheh më qëndrimet antishqiptare.
Nëse dikush duhet të përgjigjet sot, janë pikërisht ata – nëse janë bashkëpunëtorë të politikave të Mickoskit, apo vetëm viktima të tij.
A janë edhe ata “kaurët” e përmendur nga shefi i tyre politik Mickovski? Apo janë edhe më keq – argatë të heshtur të krijimit të tensioneve mes shqiptarëve dhe ndërmjet etnive tjera të shtetit?”, pyet ASH.(INA)