Aleanca për Shqiptarët krahu i Arben Taravarit, sot ka kritikuar qeverinë se ky vit është karakterizuar jo nga përparim, por nga stagnim dhe zvarritje në rrugën drejt Bashkimit Evropian.
“Një nga arsyet kryesore që na detyroi të largohemi nga kjo qeveri ishte dështimi për të realizuar njërën nga shtyllat themelore të marrëveshjes mes VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit VLEN – miratimi i ndryshimeve kushtetuese brenda gjashtë muajve të parë të qeverisjes. Siç ka theksuar me të drejtë lideri i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ky dështim përbën jo vetëm shkelje të marrëveshjes politike, por edhe një zhgënjim të thellë për qytetarët shqiptarë, të cilëve u ishte premtuar qartësisht ky hap drejt integrimit evropian.
Qeveria aktuale ka humbur orientimin evropian dhe vendi nuk ka bërë asnjë përparim real në përmbushjen e obligimeve ndaj BE-së. Në vend të përqendrimit në reformat e nevojshme – përfshirë përfaqësimin e barabartë të shqiptarëve dhe avancimin e të drejtave të tyre – koalicioni qeverisës i është kthyer retorikës boshe dhe premtimeve të pambuluara.
Koalicioni VLEN, në vend që të jetë faktor ndryshimi, ka zgjedhur heshtjen përballë shkeljeve të premtimeve dhe dështimeve të njëpasnjëshme. Premtimet për reforma dhe përfaqësim të drejtë janë zëvendësuar me justifikime dhe kompromise politike, të cilat në thelb nënvlerësojnë aspiratat e shqiptarëve për barazi dhe integrim të vërtetë”, thonë nga ASH.
Nga ASH shtojnë se kjo nuk është vetëm një dështim i një qeverie, është një sinjal alarmi për gjithë shoqërinë dhe për partnerët ndërkombëtarë se rruga drejt BE-së po bllokohet qëllimisht.