Aleanca për Shqiptarët ka reaguar pas konventës madhështore të Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI), e mbajtur mbrëmë në Shkup, duke e cilësuar këtë ngjarje si “vulën e fitores së madhe të 19 tetorit” dhe paralajmërimin e fundit për grupimin politik VLEN. “Prania e mijëra shqiptarëve nga Kumanova e Likova deri në Strugë e Dollnen ishte një mesazh i qartë: shqiptarët nuk pranojnë nënshtrim e nëpërkëmbje. Me votën e tyre më 19 tetor ata do të ndëshkojnë vasalët dhe puthadorët e Hristijan Mickoskit”, thuhet në reagimin e Aleancës.
Në reagimin e saj, ASH thekson se ky mobilizim i madh popullor dëshmoi forcën dhe vendosmërinë e shqiptarëve. “As moti me shi nuk i ndali shqiptarët të mblidhen në Shkupin e Vjetër për t’i përcjellë Mickoskit mesazhin se shqiptarët janë të zotët e vetvetes”, nënvizohet në komunikatë.
Aleanca për Shqiptarët u bën thirrje anëtarëve dhe simpatizantëve të ndershëm të VLEN-it që të mos bëhen pjesë e turpit zgjedhor që – siç thuhet – do ta përjetojnë udhëheqësit e tyre. “Bashkohuni me Aleancën Kombëtare dhe braktisni sa më shpejt të paudhët që mbajnë peng përfaqësimin politik shqiptar për interesa personale e klanore”, theksohet në reagim. Sipas ASH-së, 19 tetori do të shënojë ndëshkimin e madh politik për VLEN-in. “Fatura politike e kësaj disfate do t’i dërgohet Mickoskit, për t’i kujtuar se legjitimitetin për shqiptarët e jep vetëm populli shqiptar – dhe jo Pallati i Bardhë”, përfundon komunikata.