Tani më është e njohur se në RMV ekzistojnë dy lloje të drejtësisë apo më mirë thënë të padrejtësisë.
E para është ajo që vjen në pyetje kur duhet të gjykohet një shqiptar i zakonshëm e që për fat të keq ka me qindra raste të tilla, ku shqiptarët gjykohen, dënohen e mbahen nëpër burgje për vepra që asnjëherë nuk i kanë kryer.
Ndërsa e dyta është ajo “drejtësia” e njëanshme që bën lojëra të ndryshme, vetëm për ti ruajtur nga dënimet politikanët e korruptuar që e kanë vjedhur shtetin dhe e kanë zhytur në borxhe duke e drejtuar vendin në një rrugë të rrezikshme.
Rast konkret është edhe padia që iu bë anëtarit të Aleancës për Shqiptarët, Lulzim Aliti në të cilën akuzohet për shpërndarje të materialeve përgjuese apo të njohura si “Bomba” sepse me ligj qenka e ndaluar.
Veprimin e njëjtë e bëri edhe nënkryetari i LSDM-së, Muhamet Zekiri kur në profilin e tij në facebook shpërndau një ndër përgjimet e ish ministrit Blerim Bexheti, por kundër të njëjtin nuk u ngrit procedurë penale.
Kërkojmë nga organet e drejtësisë që t’i trajtojë qytetarët pa dallime, qofshin ata të pushtetit ose të opozitës, maqedonas apo shqiptar, sepse para ligjit të gjithë jemi të barabartë dhe një gjë e tillë na garantohet edhe sipas Konventës Evropiane për të drejtat e njeriut.
Mjaft më u ballafaquam me drejtësi selektive, që favorizon pushtet mbajtësit e dënon ata që me votë ju legjitimon.
Aleanca për Shqiptarët,
21.11.2019