16 Janar 2019 / 17:05
Pas lajmit për arratisjen e Nikolla Vojminovski të dënuar me 13 vjet burg për sulmin ndaj kreut të ASH-së Ziadin Sela, ka reaguar edhe partia e Selës. Nga Aleanca për Shqiptarët thonë se MPB-ja është dorëzuar përballë kriminelëve.
“Se Maqedonia po bëhet vendi i çudirave dhe aty ka gjithçka përveç drejtësisë dhe shtetit ligjor, flet edhe ikja e njërit nga sulmuesit e liderit të Aleancës për Shqiptarët Ziadin Selës, i dënuari me 13 vite burg për tentim vrasje Nikolla Vojminovski. Nikolla Vojminovski edhe pse i dënuar për veprën e rënde penale është lejuar të qëndrojë në paraburgim shtëpiak gjoja për arsye shëndetësore dhe në këtë mënyrë institucionet e shtetit dhe MPB po dorëzohen përballë kriminelëve dhe të korruptuarve!”- thuhet mes tjerash në reagimin e ASH-së.
Aleanca për Shqiptarët akuzon pushtetin LSDM-BDI për arratisjen e Vojminovskit dhe shprehen të shqetësuar për sigurinë dhe mbrojtjen e qytetarëve pasi pushteti aktual sipas tyre po mundëson arratisjen e kriminelëve.
“Këto ikje të koordinuara dhe të ndihmuara nga pushteti LSDM-BDI me ndihmën e MPB dhe Gjykatave të politizuara, pas Ligjit të Amnistisë dhe ikjes së Gruevskit, po vrasin edhe shpresën e fundit se në Maqedoni se mund të kthehet ndonjëherë drejtësia dhe se krimi në Maqedoni jo që nuk sanksionohet por shpesh herë po inkurajohet madje edhe po shpërblehet. Ky pushtet i cili lejon ikjen e një krimineli të dënuar me 13 vite burg, për tentim vrasje nuk mund ta mbrojë lirinë e askujt tjetër”- thuhet në reagimin e ASH-së.
Ndryshe, sot pas kontrollit rutinor të policisë në shtëpinë e Nikolla Vojminovski, i dënuari për sulmin ndaj kreut të ASH-së Ziadin Sela nuk është gjetur në shtëpi. Ndonëse i dënuar me dënim të shkallës së parë, atij iu shqiptuar arresti shtëpiak deri në plotfuqishmërinë e aktvendimit. Lidhur me këtë lëndë vendos Gjykata e Apelit pas ankesave të të akuzuarve, kurse Gjykata Penale sot as nuk e demantoi, e as nuk e konfirmoi informacionin se i dënuari Vojminovski është arratisur.
ALSAT
Loading…


