Aleancës për Shqiptarët, sipas informacioneve jo zyrtare, i janë dhënë dy oferta për hyrje në Qeveri. Ofertat e parë është për bashkëqeverisje me LSDM-në, BDI-në, PDSH-në dhe Alternativën, ndërsa e dyta është pa Alternativën. Nëse Alternativa vendos të qëndrojë në koalicionin qeverisës, atëherë ASh do të udhëheqë me ministrinë e Shëndetësisë, Drejtësisë dhe dy poste të zëvendësministrave.
Nga drejtoritë mund të udhëheqin me Fondin pensional, Postën, Librat amë, Avokatin e Shtetit dhe Hekurudhat. Pakoja e dytë nëse Alternativa e braktisë Qeverinë, atëherë ASh, bashkë me Shëndetësinë dhe Drejtësinë, merr edhe ministrinë e Shoqërisë Informatike dhe Administratës dhe të gjitha drejtoritë me të cilat aktualisht udhëheqë Alternativa. Kryeministri Dimitar Kovaçevski nuk e konfirmoi nëse është biseduar për ndarjen e resorëve, por siguroi se shumica parlamentare do të jetë edhe më e madhe.
“Kur flasim për Aleancën për Shqiptarët atëherë duhet të themi se ky bashkëpunim mund të bëhet, gjegjësisht duhet të bëhet në bazë të dy propozimeve. Njëra është programi politik dhe e dyta është e kuadrove dhe për këto gjëra ende nuk ka bisedime konkrete”, tha Dimitar Kovaçevski, kryeministër.
Nga ASh as nuk e mohojnë e as nuk e pohojnë ofertën që po përflitet. Thonë se prioritet kanë vazhdimin e rrugës së vendit drejt BE-së.
“Për ne mbetet e rëndësishme miratimi i ndryshimeve kushtetuese dhe nëse ka gjasa reale atëherë vlerësojmë se duhet t’u jepet mundësi ndryshimeve dhe hapjes së bisedimeve me BE-në. Gjithashtu mbetet prioritet edhe lufta kundër krimit dhe korrupsionit, ndërsa ASh nëse arrihet marrëveshje do të ofronte kuadro cilësore për të kontribuar në këto procese dhe për të ri konfirmuar qeverisjen ndryshe, të drejtë dhe të pastër”, thonë nga Aleanca për Shqiptarët.
Për Alternativën, përfshirja e Aleancës në Qeveri nuk është aspak problem, deklaroi ditë më parë Zeqirija Ibrahimi nga kjo parti, gjë që lë të kuptohet se as Alternativa nuk e ka ndërmend ta lëshojë Qeverinë.
“Nëse ASH do të bëhet pjesë e kësaj shumice, e kësaj Qeverie, për neve ata janë partnerë me të cilët do të bashkëpunojmë dhe do të kemi komunikim të mirë”, tha Zeqirija Ibrahimi, sekretar i Alternativës për marrëdhënie me media.
Sipas zëdhënësit të BDI-së, Bujar Osmani këtë vit është momenti për vendime strategjike dhe jo për pikë politike.
“Ne mendojmë se me të vërtetë këtë vit është krijuar momenti politik ku duhet të merren vendime të caktuara që do t’i determinojnë 10-20-30 vitet e ardhshme. Ky vit nuk është vit i zakonshëm ku mund partitë të merren me kalkulime ditore politike, por bëhen zgjidhje që janë strategjike dhe që janë me rëndësi për të ardhmen e vendit”, tha Bujar Osmani, BDI.
Por kundër hyrjes së ASh-së në Qeveri është “grupi i zjarrit” i BDI-së. Thonë se kjo gjë do t’i shkojë përshtati vetëm Artan Grubit. Me hyrjen e ASH-së, shumica parlamentare do të jetë më e qëndrueshme, ndërsa grupi i zjarrit së do ta humb ndikimin.
“Le të hyjë, vazhdimisht po flitet por unë nuk po shoh arsye, ka vetëm një buxhet që të realizohet, një vit para zgjedhjeve ndonjë parti të hyjë në përbërjen qeveritare, megjithatë vendimi është i tyre, nëse vendosin kështu, do t’i jenë patericë Artan Grubit”, tha Izet Mexhiti, nënkryetar i BDI-së.
Nga ana tjetër, kreu i ASh-së sot ka zhvilluar takim me ambasadoren e SHBA-vë në vend Anxhela Ageler. Se për çka është biseduar konkretisht ende nuk është bërë e ditur. Ndërkaq Aleanca për Shqiptarët nesër do të mbajë Kuvendin qendror në Kumanovë, ku do të zgjidhen organet e partisë dhe aty do të diskutohet edhe për pjesëmarrjen e partisë në Qeveri.