E rikujtojmë zv.drejtorin e Doganave të Maqedonisë së Veriut z.
Irfan Buçin, i cili kishte ftuar për takim doganierët shqiptar në
selinë e BDI-së në Reçicë të Vogël, se ai bashkë me kolegët e tij kanë
shkelur Kodeksin e Sjelljes së Nëpunësve të Doganave i cili është në
fuqi nga muaji prill i vitit 2016.
Ky Kodeks, në dispozitën “Aktivitete Politike” neni 16, paragrafi 1
thotë: Nëpunësit shtetërorë i kryejnë punët e tyre, obligimet dhe
autorizimet në mënyrë neutrale politike, pa u përfshirë ne vlerësimin
e rishqyrtimit në krijimin politik dhe ekonomik të doganave.
E rikujtojmë opinionin si dhe zv.drejtorin e BDI-së, z. Irfan Buçi
edhe për paragrafin 2 të nenit 16 ku thotë: Nëpunësit doganor nuk
mundet në mënyre publike t’i përfaqësojnë ose t’i shprehin bindjet e
tyre politike në kryerjen e punëve dhe autorizimeve.
Gjithashtu edhe neni 17, paragrafi 2 e parandalon një gjë të tillë:
Në marrëdhënie me publikun por edhe me vetë kolegët e tyre, nëpunësit
shtetërorë nuk duhet ta shprehin, ta cekin ose ta bëjnë me dije
përkatësinë e tyre politike ndaj ndonjë subjekti të caktuar politik.
Pra neni, 16, 17 dhe 18, i Kodeksit për Sjellje të Nëpunësve
shtetërorë i parandalon Doganierët që të jenë të përfshirë në
aktivitete politike, dhe në mënyrë të hapur ta shprehin atë. Irfan
Buçi, duhet të mbaj përgjegjësi, morale, politike por edhe juridike,
dhe t’ju kërkoj falje publike doganierëve që i ka ftuar në takim në
selinë qendrore të BDI-së në Tetovë.
E rikujtojmë edhe Deputetin Artan Grubi, i cili njëherit është edhe
Kryetar i Komisionit Parlamentar për Eurointegrime i cili i kishte
pranuar në takim doganierët në selinë e partisë së tij, se një veprim
i tillë bie ndesh me Prioritetet Urgjente për Reforma të cilat i ka
miratuar Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut me rekomandimet
eksperte të PRIBE-së, të cilët janë element bazë për sundimin e
shtetit të së drejtës edhe atë siç thuhet: PËR NDARJEN E AKTIVITETEVE
PARTIAKE NGA ATO SHTETËRORE.
Këto janë vetëm disa argumente se si BDI po kap shtetin, po keqpërdor
pushtetin. Këta zyrtar politik të BDI-së dhe vetë subjekti i tyre
politik, më këtë sjellje dhe shkelje të ligjit po bëhen pengesa
kryesore e vendit që nuk hap negociata me BE. Kërkojmë përgjegjësi
politike nga institucionet përkatëse, Komisioni Antikorrupsion dhe
kryeministri Zaev të deklarohet për rastin në fjalë.



