Këtyre ditëve, Artan Kastrati ka reaguar në medie të ndryshme duke e akuzuar ministrinë e kulturës se nuk e kanë përkrahur mjaftueshëm në projektin e tij. Kastrati ka akuzuar edhe anëtarët e Komisionit se kanë kërkuar ndarjen e shumës 50 me 50 për të kaluar projekti, shkruan Almakos.
Ndaj këtyre akuzave ka reaguar edhe Ismet Ramadani, artist i njohur, dhe kryetar i Komisionit ku ka kaluar projekti i Artan Kastratit duke qartësuar opinionin publik në lidhje me të gjitha paqartësitë.
Ramadani ka kërkuar nga Kastrati që të publikoje emrin e personit që i ka kërkuar shumën 50 me 50 nga ky Komision ose përndryshe të kërkoje falje publike ose do të paditet në gjyq për shpifje.
“Lidhur me reagimin e Artan Kastratit për konkursin “vala e re kulturore” ku thotë se komisioni i ka kërkuar hise 50 me 50, dhe me të cilën akuzë nuk është i qartë se cili është ai komision, ky tash i këtij konkursi, apo ndonjë komisioni tjetër që sic ankohet i ka bërë padrejtësi në 20 vitet e fundit. Nëse ka qenë ndonjë komision tjetër, atëherë është dashur të reagohet dhe të denoncohet me kohë, dhe nëse ka dicka të tillë tani e lus që publikisht të shprehet dhe të tregoje Emrin dhe Mbiemrin. Cili është ai anëtar komisioni aktual që i paska kërkuar hise, që t`i heqim të gjitha dilemat (anëtarë të komisionit të tanishëm janë: unë Ismet Ramadani kryetar, Irena Serijoska anëtare dhe Xhenap Samet anëtarë). Por nëse nuk është asnjë anëtarë nga ky komision, atëherë e lus që të kërkoje falje publike këtyre njerëzve që ua ka prishur imazhin, ose do të jemi të detyruar që të ngrisim padi për shpifje. Sa i përket konkursit vlerësoj se komisioni ka shqyrtuar me profesionalizëm dhe me vëmendje të vecantë secilin projekt, në bazë të kritereve të parapara me këtë konkurs. Secili projekt ka qenë i vlerësuar me pikë për përshkrimin e tij, për buxhetin e ofruar dhe për rezultatet e pritshmërisë së projekteve, si dhe për rajonin se ku do të realizohet ( ku përparësi kanë pasur rajonet rurale). Duhet të theksoj se projekti i të lartëpërmendurit në përshkrim dhe në pritshmëri të rezultateve ka dy rreshta jo të plota, ku lavdërohet se si ai ka bërë 600 këngë ( të gjithë ne jemi dëshmitarë se shumica e këtyre 600 këngëve janë komerciale edhe atë për turbofollkun serb dhe bullgar të Ballkanikës). Në këtë rast, duke mos dashur që ta rrëzojmë, Komisioni ka marr në konsideratë emrin e tij dhe e kalon duke i nda një shumë aq sa ka pasur pikë dhe aq sa ka pasur mundësi.
Pastaj, egoizmi dhe xhelozia e tij inkurajojnë atë të krahasohet me artistë të tjerë, duke vlerësuar veten se ai vlen më shumë se të gjithë, dhe se ai është më i miri, e që nuk është aspak e hijshme dhe është njëkohësisht e pa shije dhe e ulët ndaj kolegëve të profesionit të tij.
Dua që t`ua shpjegoj ose edhe t`ua VIZATOJ atij dhe të tjerëve dhe disa medieve që informuan me tendencë, se projektet e shqyrtuar të cilat kanë fituar shumat prej 400.000 ose 500.000 denar janë ato projekte të mëdha dhe më të mira si për shembull: Koncerte dhe Festivale me më shumë se 15 dhe 20 pjesëmarrës, ku spikatin emra më eminent të estradës shqiptare dhe asaj maqedonase. Dhe nëse marrim proporcionalisht del që këto pjesëmarrës në koncerte dhe festivale me shuma të fituara nga 400.000 dhe 500.000 denar duhet që t`i ndajnë në 20 pjesë dhe del që do të marrin më pak buxhet sesa i lartpërmenduri, i cili ka paraqitur koncert me dy persona në fletëparaqitjen e tij. Dhe për në fund i lus të gjithë që problemet e tyre private t`i mbajnë për vete dhe të mundohen t`i zgjedhin vet, dhe mllefin mos ta zbrazin te njerëzit që aspak nuk iu kanë faj.”, shkruan Ismet Ramadani në reagimin e tij të gjatë.
Përndryshe, ndaj kësaj problematike ka reaguar edhe gazetari Hamdi Nuhiju ku ka shprehur habinë e tij në lidhje me reagimin e Astrit Kastratit:
“ Ishte pas ankuar një artist shqiptar se pse mua Ministria e Kulturës mi miratoi vetëm 1000 euro e tjetrit 5000 euro. Ai tjetri artist shqiptar ishte ankuar se pse mua mi miratuan 5000 euro e atij tjetrit 8000 euro. A në kohën kur me ministrinë e kulturës nuk udhëhiqte kuadri i Alternativës, tre artistët shqiptar as që e kishin idenë ku gjendet selia e ministrisë së kulturës. (Kjo nuk d.m.th. se janë artist të pamerituar, por artist pa përkrahje të dikurshme institucionale)”, shkroi Hamdi Nuhiju./Almakos.



