I penduari i drejtësisë, Artan Tafani ka rrëfyer sot në seancën e radhës në GJKKO (13 maj) edhe planin e vrasjes së Rexhep Ginës për shkak të konflikteve me organizatën e Laert Haxhiut dhe faktit se shihej si armik i tij dhe mik me Aldo Baren.
Bashkëpunëtori i drejtësisë shpjegoi se Laert Haxhiu u kishte thënë se nuk donte që Gina të shpëtonte dhe plani duhet të realizohej, madje edhe ishte nervozuar për shkak të situatës dhe dinamikës së krijuar pas vështirësive të hasura.
Një tjetër detaj interesant gjatë dëshmisë ishte momenti kur Tafani rrëfeu se për të dalë me sukses nga ky mision dhe që të mos zbuloheshin, ishin veshur si gra, me fustane, paruke dhe duke bërë make-up apo rimel, për të cilin i kishte ndihmuar e dashura e Laertit.
“Pas ngjarjes së Noyzit u arrestua Lulëzim Spahia, ndërkohë Laerti i kërkoi hashash, pasi e donte Laerti dhe e kapi policia në Laprakë. Çështjen e Rexhep Ginës me tha që donte ta vriste pasi Laerti kishte çështjen që tek koha e Aldo Bares dhe po ashtu edhe çështje provash. Rexhep Gina ruhej nga Laerti, pasi e kishte frikën se mos e vrisnin. Rexhep Gina pinte kafe aty dhe kalon Lili Lala dhe kalon i bënte video. Më pas kam dëgjuar në lajme që e kishte Lorenc. Kishte kohë që e vëzhgonte Rexhep Ginën, pastaj kohët e fundit i vendosi një cun, që nuk arrita të ja mësoja emrin, ky çuni e vëzhgonte çdo ditë Rexhep Ginën. Nuk e kam parë kurrë në foto vëzhguesin. E dashura e Lulëzimit shkonte i dërgonte vëzhguesit chat emailin për të komunikuar. Vëzhguesi ishte në Lushnjë. Laerti thoshte që donte ta vriste dhe nuk donte të shpëtonte. Ne fund do shkoja unë me Lulëzimin për ta vrarë Rexhep Ginën”, tha Tafani.
Më tej ai rrëfeu edhe për bashkëpunëtorin e dytë që do përdorej në atentat, pasi Lulzim Spahia ishte arrestuar. Dhe pasi ishin veshur si gra, me paruke bjonde e fustan, u nisën drejt objektivit.
“Dy ditë para se të arrestohej, kishin filluar që të fliste me një çun nga Kuçova, Fatjon Veliun. Kemi shkuar kemi ngrënë një drekë në Peqin, unë Fatjon Veliu dhe Laerti. Pasi u arrestu Lulëzimi nga shtëpia kemi iku nga shpia dhe po rrinim në një hotel. Pastaj kemi ik në Sarandë, kemi qëndruar një javë në Sarandë, në fillim ai e afroi Fatjonin që ta mbante punë. Ne morëm masat, për të vrarë Ginën, kishim një Kallashnikov të shkurtër, dhe një pistoletë të vogël që e rregulluam. Do ikim me makinën që kishim vjedh tek Palmanova. Kemi vendosur një maskë plastike nga të dashura e Laertit po ashtu ca gjëra edhe nga e dashura e Lulëzimit, kemi marrë dy paruke, bjonde, me fustan të gjatë jam veshur unë si grua. Vendosa maskën dhe më lyeu e dashura e Laertit me makeup. Kemi shkuar të nesërmen për të vrarë Rexhep Ginën. Në atë kohë në shtëpi mbanim atë djalin që u arrestua me Laertin në Greqi”, vijoi i penduari dëhsminë e tij në sallë.
Por jo gjithçka ka shkuar sipas planit, edhe pse përgatitën armët e zjarrit, automatik Kallashnikov dhe pistoletë. Ai tha se bashkëpunëtori Veliu nisi të dridhej për shkak të problemeve që kishte.
“Ditën që u nisëm për të kryer vrasjen me vete kishim Kallashnikovin me dy krehër, njëri ishte me 40 fishekë. Fatjon Veliu ishte në Kuçovë dhe do takoheshim rrugës, ndërsa Laerti është nisur me një makinë tjetër. Më pas në lushnjë kam marrë Fatjon Veliun. Kemi dal nga Lushnja kemi hyrë në Peqin. Gjatë dy viteve që kam ndenjt me laertin i kishim mësuar të gjitha rrugët e fshatrave mes Lushnjës dhe Peqinit se aty i kishim bërë gati. Ne ishim afër qytetit nuk ishte larg po prisnim urdhrin e Laertit për t’u nisur për tek Rexhep Gina. Unë isha veshur, isha bërë gati. Fatjon Veliu nuk donte që të vinte, dridhej pasi ai kishte hallet e veta. Unë do qëlloja nga pas ndërsa Fatjoni do ishte shofer. Na thotë Laerti që nisu se i kishte shkruar vëzhguesi”, tha ai.
Në këtë moment ka ardhur edhe shpërthimi i Laert Haxhiut sipas tij, për shkak të situatës së krijuar, duke u bërë nervoz.
“Laerti filloi të më bërtiste pse po shante se me kishte shkruar që të lija çelësat tek një lokal në Kavajë, çelësat e garazhdit. Sepse unë nuk munda që ta hapja telefonin se do i jepja makinës. Isha i mërzitur që ky më shau. Na shkruan Laerti që nisuni, unë isha veshur me maskën plastike, kisha një fustan të zi, të gjatë atlete të zeza, paruken bjonde, maskën e lyer dhe një xhaketë, kallashnikovin e kisha lidhur me një rrip. Ndërsa Fatjoni që ishte në timon e kishte fustanin ngjyrë kremi”, vijoi Tafani.
Në fund ai rrëfeu se si dështoi plani atë ditë:
“Kur zbres nga makina futem mes pallateve dhe dal aty përballë lokalit, të tij, ai ishte vetëm në lokal ai po pinte kafen, e pashë se ishte veshur se i kisha infot nga vëzhguesi, një mëndje me thoshte të mos e bëja, por kaloj njëherë para lokalit, se doja ta shikoja taman, njëri nga ata sa më pa mua u ngrit në këmbë dhe më pa si i trembur, ata u trembën se dukesha më shumë si e çmendur sesa si një grua. Pasi dola nga aty i them Laertit që nuk e gjeta aty se ai kishte ikur. Laerti më pas ktheu vëzhguesin për të parë dhe ai nuk ishte me aty se siç duket ishte futur brenda në lokal. Më pas u larguam. Më pas më shkruan dhe më thotë po paska ikur. Lë Fatjonin aty ku e mora dhe u ktheva për shtëpi për Tiranë”.
Prokurori e pyeti se çfarë dinte për Rexhep Ginën?
“Kishte një lokal aty e kishte të vetin dhe ishte 24 orësh, unë e kisha parë në një video të 97 se njihja. Më pas Laerti iku jashtë”, tha ai mes të tjerash.


