Bashkimi Demokratik për Integrim sot ka pasur tubim me banorët e komunës së Sarajit, ku ka shpalosur platformën e saj zgjedhore. Para të pranishmëve foli kryetari i Shtabit zgjedhor të kësaj partie, Bekim Neziri, i cili tha se shqiptarët duhet të rrethojnë numrin 3, nëse duan të jenë fitimtarë. Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, tha se partia e tij ka merita historike për shqiptarët e Maqedonisë, duke përmendur mes tjerash edhe sheshin dhe përmendoren e Isa Boletinit në Saraj. Publikut iu drejtua edhe bartësi i listës në njësinë zgjedhore numër 1, Artan Grubi, i cili tha se kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, i kanë ra në hise që të bëjë VEPRA HISTORIKE.
“Ali Ahmeti hapi vende të reja të punës në sektorin privat, në zonat e lira ekonomike që nga Struga, Kërçova, Tetova, Likova dhe Shkupi, rrënoi kufijtë me Kosovën dhe Shqipërinë, liberalizoi vizat me Bashkimin Evropian, na solli më afër Prishtinës dhe Tiranës se kurdoherë me autostrada, me lidhje shpirtërore, me lidhje kulturore dhe na solli më afër Evropës dhe NATO-s se kurdoherë”, deklaroi Artan Grubi, bartës liste në njësinë e parë zgjedhore nga BDI.