Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) presin formimin e një qeverie të dedikuar për integrimin evropian të vendit pas zgjedhjeve parlamentare të 8 majit në Maqedoninë e Veriut. Në anën tjetër, kemi dy blloqe politike në vend që marrin pjesë në zgjedhjet e 8 majit – nga njëra anë është opozita VMRO-DPMNE, e cila vazhdon të kundërshtojë miratimin e ndryshimeve kushtetuese që janë “vizë” për progresin e mëtejshëm të vendit drejt BE-së dhe bllokut të partive pro-evropiane në pushtet, koalicionit të partnerëve tradicionalë të LSDM-së, BDI-së dhe partive opozitare shqiptare brenda koalicionit VLEN, të cilët deklaruan se pjesëmarrja e tyre në qeverinë e ardhshme do ta kushtëzojnë me ndryshime kushtetuese, shkruan PRESSonline.al
Analisti politik dhe publicist Petar Arsovski në një prononcim për “Frontline” thotë se qëndrimi i fortë i VMRO DPMNE-së për çështjen e ndryshimeve kushtetuese, diçka që është prioritet për bashkësinë ndërkombëtare, por edhe për një pjesë të madhe të partive shqiptare në vend, do ta vështirësojë gjetjen e një partneri koalicioni, domethënë do të komplikojë procesin e formimit të Qeverisë.
Megjithatë, ai është i mendimit se kjo nuk do të jetë vendimtare, gjegjësisht do ta pengojë VMRO-DPMNE-në të formojë qeveri nëse fiton zgjedhjet.
“Së pari, ai qëndrim nuk do të jetë përfundimtar kur të formohet qeveria. VMRO-DPMNE kurrë nuk do të thotë se nuk do t’i pranojë ndryshimet kushtetuese, por do të njoftojë se do të ketë kushte më të mira, do të njoftojë se është në favor të integrimeve evropiane etj. Së dyti, për partitë e shqiptarëve, mundësia për të hyrë në qeveri, mendoj se do të jetë më e rëndësishme se sa amendamentet kushtetuese menjëherë, duke pasur parasysh se do të shpresonin që ndryshimet kushtetuese të jenë të mundshme gjatë qeverisjes”, vlerëson Arsovski, përcjell PRESSonline.al
Zëvendës Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike dhe Përfaqësuesi Special për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka deklaruar se Maqedonia e Veriut është një partner shumë solid i SHBA-së, si në planin dypalësh ashtu edhe në atë shumëpalësh në NATO dhe OSBE, dhe se Uashingtoni pret që Maqedonia e Veriut të formojë një qeveri kushtuar anëtarësimit në BE edhe pas zgjedhjeve parlamentare të 8 majit.