Në Çair sot erdhi kryetarja e Shkupit Danella Arsovska e cila bashkë me Visar Ganiun prezantuan projektin e megaparkut që do të ndërtohet në lagjen Fushë Tophanë. Nuk pati gurthemel, por vetëm njoftim për parkun i cili është paraparë të shtrihet në mbi 30 mijë metra katror.
Ganiu njoftoi se ky mega-parku do të përbëhet nga kënde lojërash, fusha sportive, hapësira për qentë shtëpiak, veranda si dhe gjelbërim.
“Nga nesër fillon ndërtimi i parkut MEGAPARK, ashtu e kemi emërtuar. Parku përfshinë 30 mijë metra katror të reja, prej atyre 21 mijë do të jenë gjelbërim kurse pjesa tjetër do të përfshinë dy fusha sportive rekreative, gjithashtu përfshinë dy hapësira për kafshë shtëpiake ku qytetarët do të kenë mundësi t’i mbajnë. Gjithashtu është e paraparë edhe një fitnes zonë, gjithashtu për rekreeim për të gjitha moshat dhe 26 veranda të vendosura në gjithë këtë hapësirë.”- deklaroi Visar Ganiu – Kryetar i Çairit.
Edhe kryetarja e qytetit të Shkupit Danella Arsovska në shënimin e kësaj ngjarje u shpreh se çairasit tanimë do të kenë pamje të reja të parkut në Fushë Tophanë.
“Kjo hapësirë do të dallojë prej kësaj që tani e shihni. Do të ketë rritje të numrit të të mbjellave mirëpo janë paraparë edhe përmbajtje tjera për të gjithë qytetarët që jetojnë në këtë pjesë, veçanërisht për atë se është paraparë dy kënde sportive, dy parqe për kafshë shtëpiake, edhe zonë fitnesi gjithashtu është paraparë si dhe një numër i madh i verandave.”- pohoi Danella Arsovska – Kryetare e Shkupit.
Qytetarët nga ana tjetër gëzohen për këtë nismë, mirëpo druajnë nëse qyteti i Shkupit do të kujdeset mjaftueshëm për mega parkun.
“Është një gjë e bukur, kishte nevojë, por unë nuk e di, ka njerëz të cilët duhet të mendojnë për këto punë. Ka mungesë, duhet të mirëmbahen nuk di si tua them, ka shumë degë, qyteti i Shkupit duhet më mirë të kujdeset dhe t’i pastrojë sepse jetojmë si të jemi në ndonjë pyll”- tha një qytetare.
Përndryshe Arsovska në programin e saj parazgjedhor për një Shkup më modern, pati paralajmëruar ndërtimin e pesë mega parqeve të reja dhe atë në komunat Gazi Babë, Çair, Gjorçe Petrov, Kisella Vodë dhe Aerodrom. Ndryshe Arsovska ndërmarrjen publike Parqe dhe Gjelbërime i’a besoi kuadrit të BDI-së, Zuhejr Rexhepit nga dega e Sarajit.