Kandidatja e pavarur për kryetare të Shkupit, Danella Arsovska në një intervistë për zenskimagazin.mk zbulon se lufta kundër kancerit dhe shëndeti i djalit të saj janë sfida e saj më e madhe dhe ajo luftë e ka bërë atë më të fortë dhe e mësoi të mos dorëzohet edhe përkundër të gjitha sfidave që sjell jeta.
“Lufta me një sëmundje serioze dhe njëkohësisht lufta që luftuam për jetën e djalit tonë. Asgjë nuk më ka formuar më shumë si person sesa ajo periudhë. Thonë se çdo betejë na bën më të fortë. U rrita jo vetëm si nënë, por edhe si person. Në ato momente një fjalë nuk lejohet – të heqësh dorë. Duhet të mendoni me kujdes dhe t’i tejkaloni emocionet tuaja për të marrë vendime që nënkuptojnë jetë. Pas gjithçka që ka ndodhur, emocionet lejohen dhe ato janë vazhdimisht të pranishme. Të luftosh për jetën tënde dhe jetën e fëmijës tënd njëkohësisht është një barrë e madhe, por tani them se kur nuk e humba atë luftë, nuk kam për të humbur kurrë. Mësova të luftoj dhe mësova se gjithçka është e mundur nëse luftoni dhe kurrë nuk hiqni dorë,” tha Arsovska.
Arsovska thekson se një nga arsyet e kandidimit të saj për kryetare është gjendja e qytetit dhe vendit në përgjithësi, për të cilat ajo thotë se janë probleme që ne të gjithë i shohim dhe dëshirojmë që gjërat të ndryshojnë, duke shtuar se si menaxhere, ajo ka një plan konkret që Shkupi të transformohet në një qytet modern me zgjidhje cilësore dhe të qëndrueshme.
“Unë dua ta ndryshoj Shkupin dhe kam një vizion dhe plan të qartë se si ta bëj këtë. Kjo është arsyeja për të cilën unë po kandidoj në këto zgjedhje. Dua të tregoj si person se mund të jet ndryshe. Pa luftëra politike, pa lojëra politike, pa retorikë politike – si kryetare e pavarur dhe dikush që do të punojë për të gjithë shkupjanët, unë dua të arrij zgjidhje dhe përmirësime të dukshme në të mirë të qytetit dhe qytetarëve, dhe jo për një individ ose parti. Shkupi nuk ka nevojë për një kryetar i cili do t’a shohë qytetin dhe shkupjanët si një detyrim dhe barrë, por një kryetar që do t’i shërbejë njerëzve,” shtoi ajo.
E pyetur nëse të qenit grua është një avantazh apo një mangësi në këtë lloj fushate, Arsovska tha se Shkupi nuk ka pasur asnjëherë një grua kryetare e kryeqytetit në 30 vitet e pavarësisë së Maqedonisë, por gjithashtu Oda Ekonomike nuk kishte pasur asnjëherë një grua kyetare deri në zgjedhjen e saj.
Ne jetojmë në shekullin 21, madje edhe në rajon, në Kosovë aktualisht presidentja është grua, në Serbi ka kryeministre grua. Shkupi nuk ka pasur kurrë një grua kryetare të kryeqytetit në 30 vitet e pavarësisë së Maqedonisë. Por edhe Oda Ekonomike kurrë nuk kishte një grua si kryetare derisa u zgjodha unë. Dhe tani është koha për Shkupin. Nëse duam të bëhemi një qytet modern, evropian, gjinia e kandidatit nuk duhet të diskutohet fare. Ajo që është më e rëndësishme është se për herë të parë, shansi për t’u bërë kryetar nuk është një njëri i cili depërton nëpërmjet strukturave partiake, por një grua e pavarur, një grua që nuk është përfshirë kurrë në politikën partiake, pa anëtarësi partiake me një shans të vërtetë për të u bë kryetarja e parë e pavarur e Shkupit. Ky nuk është vetëm një shans për kryeqytetin, kjo do të ndryshojë Maqedoninë – ajo simbolizon fundin e kohës, kur anëtarësimi në parti është kriteri i vetëm për të arritur diçka në këtë vend. Tani e tutje, ta vlerësojmë cilësinë dhe t’i japim të gjithëve një shans të barabartë për sukses, tha Arsovska
Ajo shton se vizioni dhe qëllimi i saj është të rikthejë shpirtin dhe bukurinë e Shkupit, i cili fatkeqësisht sot është një qytet i cili stagnon dhe nuk funksionon.
“Vizioni im për Shkupin është një qytet që do të ushqejë traditën, por do të shikojë drejt së ardhmes, Shkupi si një qytet ekologjikisht i pastër, pa mbingarkesë në trafik, siç e meritojnë të gjithë shkupjanët me jetë kulturore dhesportive cilësore. Qytet i pastër, me infrastrukturë cilësore, ku fëmijët tanë do jetojnë duke thithur ajër të pastër. Një qytet në të cilin ia vlen të jetosh dhe për të cilin do jemi krenarë. Kjo është ajo që unë dua të arrij në 4 vitet e ardhshme,” tha Arsovska.