Kryetarja e qytetit të Shkupit dhe kryetarja e BNJVL-së, Danela Arsovska, ambasadorja e Suedisë, Kristin Forsgren Bangtson dhe Robert Skot Hejzlet, drejtor i lartë rezident i Institutit Nacional Demokratik (NDI) sot në Strugë morën pjesë në trajnimin për fuqizimin e komisioneve për mundësi të barabarta – Korniza ligjore, të drejtat dhe obligimet e komisioneve për mundësi të barabarta për projektin „WoMen Lead: Promovimi i barazisë gjinore përmes pjesëmarrjes politike të grave”, njoftojnë nga Qyteti i Shkupit.
“Çdo aktivitet që synon përmirësimin e mundësive të barabarta për gratë si projekti i sotëm i NDI duhet të jetë një kontribut pozitiv në krijimin e mundësive të barabarta për të gjithë qytetarët. Duhet pasur parasysh se çdo shërbim i ofruar nga komunat duhet parë nga prizmi se a është i disponueshëm në mënyrë të barabartë për burrat dhe gratë, tha kryetarja Arsovska në fjalimin e sotëm.
Kryetarja Arsovska theksoi se BNJVL po punon në mënyrë aktive për arritjen e barazisë gjinore në secilën njësi lokale duke e promovuar Kartën Evropiane për barazi të grave dhe burrave në jetën lokale si vlerë demokratike që zbatohet në të gjitha aspektet e jetës, gjegjësisht politike, ekonomike, sociale dhe kulturore, për të forcuar proceset e futjes së perspektivës gjinore në politikat dhe buxhetet vendore, si dhe për të krijuar një platformë për buxhetim të përgjegjshëm gjinor.
“Bëhuni zëri në komunat tuaja për të krijuar mundësi të barabarta për gratë dhe burrat, dhe gjatë marrjes së vendimeve lokale gjithmonë kini parasysh nëse ato vendime e sigurojnë atë barazi, sepse kështu mund t’i luftojmë sfidat dhe paragjykimet, theksoi Arsovska para përfaqësuesve të pranishëm të këshillave të komunave.
Në kuadër të projektit janë planifikuar tre trajnime për komisionet vendore për mundësi të barabarta për burrat dhe gratë, ndërsa i pari, i cili ka filluar sot dhe do të zgjasë deri më 7 maj, do të fokusohet në njohjen e anëtarëve të këshillave komunal dhe komisioneve me të drejtat dhe përgjegjësitë si pjesë e komisioneve për mundësi të barabarta, forcimin e kapaciteteve të tyre në fushën e barazisë gjinore, qeverisjes së mirë, bashkëpunimit me qytetarët, antikorrupsionit, transparencës, gjithëpërfshirjes, si dhe ndërtimin e marrëdhënieve ndërmjet anëtarëve të KMB në komunës dhe ndërmjet komunave.
Trajnimi do të përfshijë 70-100 këshilltarë nga 20 komuna nga: Qyteti i Shkupit, Bogovinës, Tetovës, Gostivarit, Ohrit, Strugës, Resnjës, Prilepit, Manastirit, Strumicës, Negotinës, Shtipit, Kumanovës, Velesit, Sveti Nikollës, Dibrës, Shuto Orizares , Kisella Vodës, Çairit dhe nga Ilindenit.