18 April 2018 / 15:13
I akuzuari në rastin Monstra, Fejzi Aziri është arrestuar në Klinikën e Pulmologjisë për shkak se i njëjti nuk është kthyer në burg edhe pas përgjigjes negative në ankesën për lirim me kusht për arsye shëndetësore. Ai momentalisht po vuan dënimin për armëmbajtje pa leje. Aziri paraprakisht kishte kërkuar nga 1 shkurti deri më 1 mars lirim me kusht e cila i ishte miratuar. Më pas kishte kërkuar vazhdimin e lirimit me kusht, por që i është kthyer negative. Më 7 mars, burgu i Shtipit ka njoftuar Ministrinë e Brendshme dhe Gjykatën Penale se i njëjti nuk është paraqitur duke lëshuar kështu edhe flet-arrest. Megjithëse Aziri ishte ankuar për vendimin negativ të Gjykatës Penale dhe deri sa ka pritur për përgjigjen e Gjykatës edhe pse është dashur të kthehet në burg, i njëjti një gjë të tillë nuk e ka bërë. Më 29 mars, Gjykata i ka hedhur poshtë edhe ankesën. Nuk dihet pse dikasteri i Brendshëm nuk ka vepruar në bazë të flet-arrestit nga burgu i Shtipit. Ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski nuk e cilëson si të vonuar arrestimin e Fejzi Azirit.
Në momentin kur është gjetur personi është siguruar nën masa kujdesi në Klinikën e Pulmologjisë. Në kohë nuk kishim mundësi t’i njoftojmë mediumet, por i njoftuam më pas edhe mediumet por edhe burgun e Shtipit i cili ndaj personit në fjalë ka lëshuar flet-arrest – tha Oliver Spasovski, Ministër i Brendshëm.
Spasovski konfirmoi se dikasteri Brendshëm ka informacion se ku gjenden edhe të akuzuarit Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri të cilët ndodhen në arrati.
Ne lidhje me personat që janë në ikje, si në këtë rast por edhe në rastet tjera, kemi informacione të caktuara, por të njëjtat nuk mund t’i shpalosim për opinionin dhe mbi këtë bazë t’i kërkojmë personat në fjalë – deklaroi Oliver Spasovski, Ministër i Brendshëm.
Seanca gjyqësore e një dite më parë ku ishin paraparë fjalët hyrëse për “Monstrën”, nën përfaqësimin e akuzës nga PSP, u anulua për shkak të mungesës së Fejzi Azirit. Seanca e radhës është caktuar për më 15 maj.


