Drejtori i Spitalit të Specializuar për Mjekësi Geriatrike dhe Paliative në Shkup, Muhsin Arifi, është arrestuar nën dyshimin për marrje të ryshfetit. Sipas informacionit të siguruar, ai dyshohet se së bashku me një ndërmjetësues ka kërkuar dhe ka pranuar një shumë prej 20,000 eurosh për të mundësuar vendosjen e një personi të sëmurë dhe të palëvizshëm në një institucion geriatrik.
Prokuroria ka konfirmuar arrestimin e dy personave të dyshuar për veprat penale të marrjes së ryshfetit dhe ndikimit të kundërligjshëm. Pjesë e operacionit kanë qenë Prokuroria Themelore Publike për Krim të Organizuar dhe Korrupsion dhe Ministria e Punëve të Brendshme, të cilat po ndërmarrin hapa për zbardhjen e plotë të rastit.
Identiteti i ndërmjetësuesit dhe detajet e tjera për momentin nuk janë publikuar, por rastin e ka konfirmuar edhe Ministria e Brendshme.