Gazetarja Klodiana Lala ka zbuluar detaje të reja lidhur me arrestimin e Ervin Matës në Brazil, ku ai ishte strehuar prej kohësh pasi ishte shpallur në kërkim nga autoritetet shqiptare për një sërë veprash penale.
Sipas Lalës, dyshimet se Mata ndodhej në Brazil ekzistonin që në momentet e para pas shpalljes së tij në kërkim nga SPAK, në kuadër të operacionit të koduar “Revanshi”, ku u godit një grup i strukturuar kriminal. Në atë kohë, kreu i grupit dyshohej të ishte Ervin Mata, i njohur edhe me nofkën “Boli i kokainës”.
Sipas saj, ai mbante dokumente dhe pasaportë britanike të falsifikuara, por pas krahasimit të gjurmëve të gishtave edhe të dhënave të tjera ëshë konfirmuar se bëhej fjalë për Ervin Matën.
Ndërkohë edhe SPAK ka konfirmuar se ka depozituar kërkesën për ekstradimin e Matës drejt Shqipërisë.
“Ditën e sotme, pas informacioneve të News24, kemi pasur kontakte edhe me SPAK, e cila ka konfirmuar zyrtarisht që është kërkuar ekstradimi i Ervin Matës në drejtim të Shqipërisë”, tha ajo.
Lala: Që Ervin Mata kishte dyshime të forta që fshihej në Brazil normalisht këto diheshin që në momentet e para kur u shpall në kërkim nga SPAK në kuadër të operacionit të koduar “Revanshi”, në atë kohë u godit një grup i strukturuar kriminal ku kreu i grupit dyshohej Ervin Mata, i cili njihej me nofkën “Boli i kokainës”. Ishte një personazh i njohur si i përfshirë në atë që njihet si masakra në zonën e ish-Bllokut, ku pati të vrarë dhe një përplasje shumë të fortë me Ervis Martinajn, i zhdukur pa gjurmë që nga viti 2022.
Është arrestuar në fakt disa ditë më parë, por News24 e ka mësuar lajmin dhe më pas është konfirmuar përmes njoftimit zyrtar nga Policia e Shtetit. Ai akuzohet për trafikim të lëndëve narkotike, të llojit kokainë, dhe po ashtu për grup të strukturuar kriminal. Në momentin e arrestimit në Brazil ai mbante dokumente dhe pasaportë, por edhe letra të tjera britanike të falsifikuara.
Dhe pas krahasimit të gjurmëve të gishtave, por edhe të dhënave të tjera, është konfirmuar që Ervin Mata është personi që fshihej në shtetin e Brazilit. Ditën e sotme, pas informacioneve të News24, kemi pasur kontakte edhe me SPAK, e cila ka konfirmuar zyrtarisht që është kërkuar ekstradimi i Ervin Matës në drejtim të Shqipërisë.
Ngjarja te “Monopol” ka qenë një nga masakrat më të rënda, ndërkohë sa i përket akuzave, ju e dini bëhet fjalë për një grup shumë të madh që fillon që nga vrasja, përfshirja e zyrtarëve të lartë të policisë, korrupsioni deri te trafiku i kokainës. Ardhja e tij në Shqipëri do të sjellë një panoramë tjetër. Të gjitha vendet po i dorëzojnë të kërkuarit nga Shqipëria, e konkretisht nga SPAK.


