Mbrëmë, në një aksion të Byrosë për Siguri Publike, janë arrestuar disa persona, mes tyre edhe Bujar Dardhishta, ish-drejtor i Drejtorisë për Mbajtjen e Librave Amë, kuadër i BDI-së, raporton 24vesti.
Informacionin në një deklaratë për mediat e konfirmoi ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, i cili mori pjesë në promovimin e një centrali fotovoltaik të vendosur në Qendrën për Trajnim të MPB-së – donacion i OKTA-s.
Më herët, nga Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar njoftuan se mbrëmë është realizuar një aksion në disa lokacione në Shkup dhe Kumanovë.
“Nën udhëheqjen e një prokurori publik nga PTHP për Krim të Organizuar dhe Korrupsion, zyrtarë policorë nga Departamenti për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe Serioz pranë BSP – MPB, që nga mbrëmë po zhvillojnë aktivitete në disa lokacione në Shkup dhe Kumanovë, për shkak të ekzistimit të dyshimeve të bazuara për vepra penale të natyrës financiare-ekonomike”, thuhet në njoftim.
Më shumë detaje është paralajmëruar se do të ndahen pas përfundimit të aktiviteteve në terren.


