Arkin Jahiji merr zyrtarisht mandatin e kryetarit të Komunës së Bërvenicës
Komisioni Komunal i Zgjedhjeve do t’ia dorëzojë sot mandatin kryetarit të sapozgjedhur të Komunës së Bërvenicës, Arkin Jahiji, duke nisur zyrtarisht procedurën për marrjen e detyrës.
Jahiji, kandidat i Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI), fitoi në raundin e dytë të zgjedhjeve të parakohshme lokale, të mbajtura më 1 nëntor, duke marrë 4.442 vota. Kundërkandidati i tij, Stojanço Radiçevski nga koalicioni i udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja, mori 4.177 vota.
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve e konfirmoi përfundimisht rezultatin më 6 nëntor, pasi brenda afatit ligjor nuk u paraqit asnjë padi në Gjykatën Administrative. Kështu u shteruan mundësitë ligjore për kundërshtimin e procesit zgjedhor.



