Zëvendëskryeministri Arben Fetai ka reaguar ndaj sulmeve ndaj Ambasadorit të Shqipërisë, Denion Meidani, duke e cilësuar atë si një diplomat me përgatitje të jashtëzakonshme dhe qasje që imponon respekt. Ai thekson se Meidani po vendos standarde të reja në diplomacinë shqiptare dhe rithekson mbështetjen e plotë për punën e tij.
“Këto ditë, Ambasadori i Republikës së Shqipërisë, Denion Meidani, është bërë shënjestër e sulmeve nga ata që shqetësohen nga puna e tij e pandalshme dhe vizioni i tij i qartë. Për herë të parë, kemi një ambasador shqiptar që jo vetëm se e din saktësisht çfarë bën, por që e bën më së miri, me profesionalizëm të lartë dhe një qasje që imponon respekt. Denion Meidani është një diplomat me përgatitje të jashtëzakonshme, i vlerësuar në qarqet më të larta diplomatike. Ai nuk është thjesht një përfaqësues i Shqipërisë, por një figurë që me dinamizmin dhe vendosmërinë e tij po vendos standarde të reja në diplomacinë shqiptare. Ne kemi shprehur publikisht mbështetjen tonë për të dhe e ritheksojmë edhe sot: Ambasadori Meidani ka mbështetjen tonë të plotë! Ai është një model dinjiteti për diplomacinë shqiptare në rajon”, ka shkruar Fetai.