Arabia Saudite dhe Katari do të paguajnë borxhet e papaguara të Sirisë ndaj Bankës Botërore.
Kështu kanë thënë të dy vendet në një deklaratë të përbashkët të publikuar nga Agjencia Saudite e Shtypit (SPA), duke hapur rrugën për miratimin e miliona dollarëve në grante për rindërtim dhe për të mbështetur sektorin publik të paralizuar të vendit.
“Në vazhdim të përpjekjeve të vazhdueshme nga Mbretëria e Arabisë Saudite dhe Shteti i Katarit për të mbështetur dhe përshpejtuar rimëkëmbjen e ekonomisë së Republikës Arabe Siriane, dhe në dritën e diskutimeve të fundit të mbajtura gjatë Tryezës së Rrumbullakët të Nivelit të Lartë mbi Sirinë në margjinat e Takimeve Pranverore të WBG/FMN 2025, ministritë… njoftojnë së bashku angazhimin e tyre për të ‘zgjidhur borxhet e papaguara’ të Sirisë ndaj Grupit të Bankës Botërore, që arrijnë në total rreth 15 milionë dollarë”, thuhej në deklaratën e publikuar nga SPA, shkruajnë mediat e huaja.
Vendet thanë se ky angazhim do të hapë rrugën që Grupi i Bankës Botërore të rifillojë mbështetjen dhe operacionet në Siri pas viteve të pezullimit.
“Gjithashtu, kjo do të zhbllokojë aksesin e Sirisë në mbështetje financiare në afat të shkurtër për zhvillimin e sektorëve kritikë, si dhe asistencë teknike që do të kontribuojë në rindërtimin institucional, zhvillimin e kapaciteteve dhe formulimin e reformën e politikave për të nxitur zhvillimin”, thanë të dy vendet.
Ata u kërkuan institucioneve financiare globale dhe rajonale të rifillojnë dhe zgjerojnë angazhimin e tyre të zhvillimit në Siri dhe të zgjerojnë përpjekjet për të përmirësuar jetën e popullit sirian dhe “të realizojnë aspiratat e tyre për një të ardhme me mundësi dhe mirëqenie, duke kontribuar në stabilitetin dhe prosperitetin më të gjerë të rajonit”.
Siria ka rreth 15 milionë dollarë borxhe ndaj Bankës Botërore, të cilat duhet të paguhen përpara se institucioni financiar ndërkombëtar të mund të miratojë grante dhe të ofrojë forma të tjera ndihme.