Anulohet seanca për rastin e Sopotit që ishte planifikuar të zhvillohet sot në Gjykatën Themelore Shkupi 1. Seanca është anuluar për më 20 shkurt të vitit të ardhshëm dhe sipas njërit prej avokatëve të kësaj lënde, Naser Raufi, gjykatësi nuk ka sqaruar arsyet e anulimit.
“Gjykatësi i lëndës është caktuar është gjykatësi Goran Boshevski. Arsyet për anulim nuk e treguan, por nuk erdh as prokurori që është në këtë lëndë. Mendoj që arsyeja e anulimit është Prokuroria Speciale definitivisht do ta marrë për ta punuar këtë lëndë se e njejta ka të bëjë me bisedat e përgjuara”, ka deklaruar avokati, Naser Raufi.
Por, të dënuarit e rastit të Sopotit pretendojnë se arsyet e anulimit janë politike.
“Po keq që po anulohet për rastin e Sopotit, po dihet me prapavijë politike pa u formuar Qeveria. Shpresojmë pasi të formohet Qeveria që të fillojë procedura gjyqësore nga fillimi”, tha Shaban Limani, i dënuar.
Ata shpresojnë se pas formimit të Qeverisë së re lëndën do ta merr Prokuria Speciale dhe rasti të shqyrtohet edhe njëherë nga fillimi.
“Shpresojmë që ta merr edhe Prokurori Special, të vazhdoj seanca gjyqësore dhe të del drejtësia në shesh. Këshilli i prokurorëve nuk e sjell vendimin për shkak të gjendjes politike momentale në Maqedoni. Pritet formimi i Qeverisë dhe pastaj të shohim”, tha më tej ai.
“Për rastin e Sopotit nuk dijmë çka të flasim. E gjitha varet nga Prokuroria Speciale, nëse Prokuroria Speciale merr lëndën atëherë më 20 shkurt presim diçka më mirë. Jemi të lodhur më 13 vite nëpër burgje dhe gjykata. Nuk di se çfarë të them, Inshallah drejtësia del në shesh, presim më mirë të bëhet”, deklaroi Shaqir Sulejmani, i dënuar.
Më tej ata kanë shtuar se në rast se nuk zgjidhet kjo çështje, atëherë do të detyrohen që të ngriten në protesta për t’i kërkuar të drejtat e tyre.
13 banorë të fshatit Sopot akuzohen për vendosjen e minës në fshat në vitin 2003, ku humbën jetën 2 ushtarë të Natos dhe një përkthyes. Gjykata për këtë rast dënoi me 156 vjet burg 13 banorë vendas duke u bazuar vetëm në dëshminë e dëshmitarit të mbrojtur Ramadan Bajramit të cilin e detyruan ta nënshkruante letrën në të cilën pranohej fajësija. Më pas Bajrami në gjyq pranoi se letrën e kishte nënshkruar pas mallëtretimit që iu bënë disa ditë. Rasti tani po rigjykohet.
Teuta Buçi /SHENJA/
Anulohet seanca për rastin e Sopotit, të… by tvshenjaofficial