Nga Olsi Lelaj*
Në librin “Antropologji e Kanunit” të autorit Nebi Bardhoshi, në fokusin e të cilit është e drejta zakonore ndër shqiptarë, ai debaton qoftë me teoricienët që kanë formuar korpusin e antropologjisë juridike botërore, gjithashtu edhe me studiuesit, të cilët i kanë dhënë formë etnografisë juridike, brenda kornizave të studimeve shqiptare apo albanologjike, shkruan Olsi Lelaj
Mbi korpusin e të drejtës dokësore ndër shqiptarë është folur dhe shkruar shumë, si nga studiuesit e huaj ashtu edhe ata shqiptarë. Aktualisht, në publiken shqipfolëse mund të gjesh mjaft monografi, të cilat kanë si subjekt të tyren kanunin. Mirëpo ajo që vihet re është se këto publikime riprodhojnë besnikërisht ose modelin kodifikues të Gjeçovit ose përshkrime me analiza sipërfaqësore, ku shquhet një tis i lartë romantizmi apo patriotizmi shkencor. Po ashtu, edhe në ato analiza ku lentja kritike vihet për të rrokur të drejtën dokësore, ajo reduktohet vetëm në idenë se si ky sistem të drejtash dhe detyrimesh ruan ose përforcon patriarkalitetin e strukturuar të shoqërisë shqiptare tradicionale, por dhe bashkëkohore. Pa mohuar rëndësinë specifike që këto dy qasje dominuese në studimet (por dhe në përfytyrimet kolektive) mbi të drejtën zakonore ndër shqiptarë, kanë në nivelin e dokumentimit apo në hapjen ndaj kritikës, kam gjykuar vazhdimisht se këto pozicione ekstreme, veçse kanë krijuar një hendek të madh në analizën e kanunit. Këtij hendeku të krijuar, që nuk është endemik vetëm për studimet shqiptare, por dhe ato të huaja, i është përgjigjur antropologu i së drejtës, Nebi Bardhoshi, me një monografi të titulluar Antropologji e Kanunit e që do të prezantohet në panairin e librit të Prishtinës më 7-12 Qershor 2016, në një seancë të posaçme të organizuar nga shtëpia botuese “Pika pa sipërfaqe”.
Në këtë monografi, në fokusin e të cilës është e drejta zakonore ndër shqiptarë, autori debaton qoftë me teoricienët që kanë formuar korpusin e antropologjisë juridike botërore, gjithashtu edhe me studiuesit, të cilët i kanë dhënë formë etnografisë juridike, brenda kornizave të studimeve shqiptare apo albanologjike. Për rrjedhojë, kontributi i parë që lexuesi gjen në këtë monografi është fakti se e drejta zakonore ndër shqiptarë kthehet në punën e Bardhoshit në një lokus apo një truall, nëpërmjet të cilit shqyrtohen dhe kritikohen njëherazi, si qëndrimet teorike të antropologjisë juridike botërore mbi të drejtën dhe ligjin në shoqëritë njerëzore, edhe qëndrimet e kanonizuara në studimet shqiptare mbi këtë subjekt. Po ashtu, në të njëjtën përmasë, nëpërmjet analizave origjinale dhe interpretimeve provokuese, autori vendos një urë komunikimi nëpërmjet pyetjeve të antropologjisë juridike (e social-kulturore) dhe shqetësimeve të studimeve shqiptare.
Autori nuk bie në grackat teorike, që janë ngritur qoftë nga e ashtuquajtura antropologji kozmopolite, qoftë nga ajo kombëtare. Përkundrazi, ndërsa shqyrton kufizimet teorike që kanë të dyja qëndrimet, lexuesit, i ofrohet një qëndrim i ri teorik, i cili mbështetet gjerësisht në të dhëna empirike. Qasja kritike që autori artikulon në analizat e metateorive mbi të drejtën, si ajo natyraliste, evolucioniste, difuzioniste, funksionaliste, marksiste, substancialiste, romantike, nacionaliste dhe centraliste, është filli i hollë i kuq që përshkruan gjithë shtatin e monografisë.
Kjo kritikë latohet nga dy qëndrime teorike, që artikulohen dhe gërshetohen përgjatë gjithë tekstit. Qëndrimi i parë teorik pohon se ligji, pavarësisht formës që ka dhe merr në shoqëritë njerëzore, i shkruar apo jo, i shkrirë me moralin e kulturës në tërësi apo i diferencuar e fort mirë i dallueshëm nga morali primitiv, tradicional apo modern, qoftë i centralizuar në një institucion apo i shpërndarë në të gjithë shoqërinë, është kurdoherë produkt i pushteteve shoqërore. Ndërsa, qëndrimi i dytë, nënvizon idenë se në shoqëritë njerëzore, pavarësisht natyrës së tyre, primitive, tradicionale apo moderne qofshin ato, njerëzit jetojnë në kushte të pluralitetit ligjor. Si kusht i shoqërive njerëzore, pluraliteti ligjor theksohet edhe më tepër sidomos në ato shoqëri, të cilat janë të formatuara sipas logjikës së shtetit-komb. E kësisoj, e drejta dokësore ndër shqiptarë bëhet kallëzuesi nëpërmjet të cilit autori mbështet këto dy qëndrime, të cilat më tepër artikulohen si një ftesë e vazhdueshme për të analizuar natyrën e ligjit dhe të së drejtës në shoqëritë njerëzore, se sa si tautologji apo qëndrime metateorike.
Lexuesi, në këtë monografi, do të apelohet vazhdimisht, në njërën anë, drejt reflektimeve me natyrë universale mbi çështjen e ligjit e të drejtës dhe mbi ndërlidhjet e tyre me indet shoqërore që i kalojnë kufijtë konceptualë, ku shpeshherë, lundrojnë studimet etnografike dhe etnologjike në Shqipëri. Në anën tjetër, nëpërmjet anatomisë konceptuale, praktikave sociale, dhe përditshmërisë të së drejtës zakonore, ndërthurjeve të saj me strukturat sociale, religjionet, mitin, moralin, pushtetet shoqërore, të djeshme dhe të sotme, detajeve e analizave të thukëta që ndërthurin më së miri materialin etnografik me imagjinatën sociologjike e antropologjike, lexuesi ftohet të shohë pasqyrimin e shoqërisë shqiptare, sidomos në historinë e saj rishtare.
E për t’ia arritur këtij qëllimi, autori, metodologjikisht, përdor, por pa krijuar konfuzion apo kakofoni, si qasjen diakronike ashtu edhe atë sinkronike. Nëpërmjet materialeve arkivore, publikimeve me karakter historiko-etnografik, por dhe materialit të mbledhur në terren, aty ku është apeluar vazhdimisht kujtesa, Bardhoshi ndërton një antropologji historike reflektive dhe kritike mbi të drejtën zakonore, e cila i kundërvihet antropologjisë historiko-romantike dhe monumentale të ndërtuar nga etnografia klasike botërore (i.e., Durham, Nopca, Hasluck) si edhe kombëtare mbi shqiptarët (i.e., Gjeçovi, Zojzi, Tirta). Qasja gjenealogjike është instrumentale pasi e ndihmon autorin të zbërthejë dhe të tregojë raportet dije-pushtet dhe mënyrën e qarkullimit të tyre në indin shoqëror, sidomos për të kuptuar ndikimin e tyre në krijimin e përfytyrimit tonë, si mbi origjinën ashtu dhe mbi vetë natyrën e të drejtës zakonore ndër shqiptarë. Në këtë kuadër, Bardhoshi shtron një tezë të re për sa i përket origjinës të së drejtës zakonore apo kanunit, e cila e përjashton qoftë tezën e anonimatit, qoftë truallëzimet historike specifike. Në optikën e tij, e drejta zakonore duket të jetë pashmangshmërisht e lidhur me lindjen, kushtetimin dhe artikulimin e pushtetit në shoqëritë njerëzore. Paralel me këtë qëndrim dhe kundrejt imazhit statik të prodhuar nga etnografia klasike shqiptare mbi kanunin, ky i fundit na paraqitet si një univers dinamik normash, që janë në ndryshim të vazhdueshëm.
Në rrafshin sinkronik, kanuni gjurmohet, problematizohet dhe analizohet nëpërmjet materialit etnografik, ku theksi vihet në raportin dinamik dhe dialektik ndërmjet shtetit, ligjit, të drejtës, ideologjive, shoqërisë dhe njerëzve, në kontekstin e modernitetit në Shqipëri. Specifikisht, në fokus të analizës është gjurmimi i arsyeve dhe dhënia e përgjigjeve se pse e drejta zakonore vijoi të veprojë gjatë komunizmit dhe vijon të veprojë edhe sot në post-komunizëm në shumë zona të Shqipërisë. Hendeku ndërmjet shtetit dhe shoqërisë, hendeku ndërmjet ligjit dhe drejtësisë, hendeku ndërmjet qeverisë dhe të qeverisurve, kthehet në terren fertil për ekzistencën e pluralizmit ligjor në shoqërinë shqiptare, gjatë dhe pas rënies së komunizmit.
Së fundmi, dija antropologjike që teksti i Bardhoshit prodhon në lidhje me një sërë temash nëpërmjet të cilave zhvillohet antropologjia e kanunit, nuk është vetëm kthesë në studimet shqiptare mbi trajtimin e të drejtës zakonore, ku studiuesi dhe studenti i etnologjisë, antropologjisë, sociologjisë, shkencave politike apo filozofisë, gjen terrenin e duhur për t’u ngacmuar apo frymëzuar intelektualisht. Kjo dije është, gjithashtu, një hapje e re në nivelin e njohjes të së drejtës zakonore, që na fton drejt reflektimit kolektivisht.
*Departamenti i Etnologjisë, Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit, Qendra e Studimeve Albanologjike, Tiranë.