Nga kabineti i zëvendëskryeministres për qeverisje të mirë, Sllavica Gërkovska nuk janë përgjigjur në pyetjen nëse ministri i jashtëm Bujar Osmani do të mbajë përgjegjësi për shkeljen e kodit etik të funksionarëve. Kryetarja e Komisionit anti- korrupsion, Biljana Ivanovska, konfirmoi për Alsat se nisma e përgjegjësisë është nisur në kabinetin e Gërkovskës duke shtuar se presin përgjigje. Sipas antikorrupsionit, ministri Osmani nuk është dashur të dalë në konferencë për media të partisë gjatë orarit të punës. Sipas Kodit të etikës, bartësit e funksioneve ekzekutive mund të marrin pjesë në veprimtari partiake si anëtarë të partive politike, por vetëm jashtë orarit të punës të institucionit që e drejtojnë. Po ashtu, Osmani në konferencën partiake të BDI-së është paraqitur me veturën zyrtare të MPJ-së dhe sigurimin e paguar nga të gjithë qytetarët, që gjithashtu është në kundërshtim me Kodin e etikës. Paraprakisht, Osmani nuk e mohoi një ngjarje të tillë, por u arsyetua duke shfrytëzuar pauzën nga orari i punës, që i takon të gjithë nëpunësve. Reagoi edhe sindikata diplomatike e Maqedonisë.
Nuk ka përgjigje nga Ministria e Jashtme, nëse shefi i diplomacisë Osmani do të mbajë përgjegjësi për shkeljen e Kodit të Etikës. /Alsat.mk