24 Janar
Mbështetje e qytetarëve për integrimin e vendit në strukturat euroatlantike gjithnjë e më shumë po shënon rritje. Sipas anketës së fundit të realizuar nga Qendra “Eurothink” për 63% të të anketuarve në vitin 2017 anëtarësimi në BE do të ishte punë e mirë, shifër kjo e rritur për 6,5% krahasuar me vitin 2016. Madje 67,9% do të votonin pro anëtarësimit, nëse do të mbahej referendum. Për 10,9% është rritur përqindja e qytetarëve që mendojnë se vendi do të anëtarësohet 5 vitet e ardhshme, kjo përqindje që në vitin 2016 ishte 18,7% tani ka shënuar rritje dhe ka arritur në 29,6%. Ndërkohë për 18,4% është zvogëluar numri i qytetarëve që mendojnë se vendi nuk do të anëtarësohet kurrë, respektivisht nga 31,6% në vitin 2016, në vitin 2017 pesimistë ishin vetëm 23,2%. Qytetarët me përgjigje interesante edhe për arsyen e stagnimit të euro-integrimeve.
Njerëzit me arsim të lartë më shumë mendojnë se Qeveritë e përdorin emrin si pretekst se nuk mund të hymë në BE, ndërsa njerëzit me arsim fillor dhe të mesëm më shumë besojnë se emri është problemi i vetëm që bllokon integrimin e vendit në BE – deklaroi Goran Lazarov nga “Eurothink”.
Ngjashëm edhe për anëtarësimin e vendit në NATO. Rreth 65,8% e të anketuarve e shohin atë si punë të mirë, ndërsa 19,3% nuk e mbështesin të njëjtën. Ajo që spikat në anketë është dallimi partiak dhe etnik. Kështu mbështetja e shqiptarëve për euro-integrimet është rreth 80%, respektivisht për 30% më e madhe sesa ajo e maqedonasve. Për 80% të votuesve të BDI-së dhe rreth 70% të votuesve të LSDM-së nuk ka alternativë tjetër pos BE-së, ndërsa 55% e votuesve të VMRO DPMNE-së kërkojnë një model tjetër të zhvillimit jashtë BE-së. Qytetarët u pyetën edhe për Raportin e Pribesë dhe Planin 3-6-9. Me ç’rast 73% nuk kanë njohuri se çfarë është Raporti i Pribesë, ndërsa rreth 63% as që kanë dëgjuar ndonjëherë për Planin 3-6-9. Sipas vlerësimit të të anketuarve Marrëveshja për Fqinjësi të Mirë me Bullgarinë ka marrë notë pozitive nga 42,8%, ndërsa negative nga 30% e të anketuarve.
Anesa Salihi

