Një anketë e publikuar në TV Telma si duket ka nxjerrë simpatizuesit e BDI—së nga depresionk në të cilën kishin rënë pas anketave të instituteve amerikane IRI dhe NDI, si dhe pas refuzimit të Lazim Destanit që të futet në politikë. Kjo anketë tregon përparësi të vogël të BDI-së ndaj ASH-së, mirëpo kur ta kuptoni historikun e institutit M Prospekt që ka realizuar anketën, si dhe gabimet që i ka bë në të kaluarën, vështirë se do ti besoni rezultateve të anketës së publikuar sonte në Telma. Ky institut vazhdimisht favorizon BDI-në te partitë shqiptare, gjë që shumë bukur e sqaron edhe eksperti shqiptar për çështje zgjedhore, Robert Nesimi, duke bë një krahasim me anketat e bëra në vitin 2016.
“Dua t’iu siguroj se kështu nuk mendon asnjë njohës i rrethanave politike, përpos një tresheje të famshme të përbërë nga televizioni Telma, Qendra Maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtar (e njohur si MCMS) dhe agjensioni M-Prospekt, që thanë pikërisht këtë gjë në një anketë të publikuar javën e kaluar. Për fat të mirë kësaj treshe nuk kemi pse t’i besojmë fare, sepse në zgjedhjet e kaluara doli anketues tejet i dobët. Dështim total sidomos shënoi te blloku shqiptar, siç do të shohim më poshtë.
Renditja. Sa e dobët ka qenë anketa e treshes para zgjedhjeve tregon fakti që ajo nuk ka qëlluar as renditjen e partive shqiptare. Sipas saj e para do të dilte BDI, e dyta PDSH, pastaj Besa dhe në fund Aleanca. Një renditje të këtillë nuk kanë pritur as njerëzit në çarshi, lere më ata që sadopak i njohin rrethanat politike te shqiptarët. Të prognozosh gabimisht renditjen, madje duke i dhënë vendin e dytë partisë që doli e fundit, është huqje e turpshme për cilindo anketues. Një huqje të tillë nuk ka bërë askush tjetër, madje as Pavel Shatev. Nëse jo Aleancën, të gjithë të paktën nxirrnin Besën para PDSH-së. Në anketën para zgjedhjeve treshja Telma-MCMS-M Prospekt shënoi një tjetër autogol pasi dha rejtingjet e partive nëpër njësi zgjedhore, edhepse kishte anketuar vetëm 300 persona për njësi. Por autogoli i këtillë është problem i saj; pasi veçmë dha një prognozë të tillë, ne kemi të drejtë të gjykojmë saktësinë e saj.
Në kampin shqiptar anketa e treshes prognozonte 14 deputetë për BDI, nga 5 për PDSH dhe Besën dhe 1 për Aleancën. Në realitet huqja është edhe më e madhe. Anketa nuk i jepte shans Besës te zona 1, as Aleancës te zona 5. PDSH dhe Besa merrnin nga katër deputetë të gjashtësha; aty edhe Aleanca fitonte deputetin e vetëm. BDI merrte deputet ngado, për të arritur 14 në total”, sqaron Nesimi.
Për të parë saktësinë e anketës së atëhershme, më mirë është t’a shohim të krahasuar me rezultatet reale. Në tabela nuk përfshij diasporën, sepse prognozat për diasporën edhe ashtu bien në kategorinë fantazi-shkencore.
Anketa Dhjetor2016 Rezultatet 2016 Gabimi
VMRO 23.3% 25.5% -2.2%
LSDM 19.4% 24.7% -5.3%
BDI 6.6% 4.9% +1.7%
Besa 2.7% 3.3% -0.6%
Aleanca 1.9% 2.0% -0.1%
PDSH 3.3% 1.8% +1.5%
Tjerë 4.7% 2.9% +1.8%
“Shihet qartë se anketa ka fryrë numrat e BDI-së dhe PDSH-së. Që atëherë mesazhi i anketës drejtuar shqiptarëve ishte i qartë. Ai ishte plotësisht në vijë me retorikën e BDI-së: mos votoni “partitë e vogla”, sepse votat do të digjen. Mesazh ky i përforcuar me prognozën njësi për njësi.
Anketa pa të papërcaktuarit. Çdo anketë përmban një numër njerëzish që thonë se janë të papërcaktuar ose që nuk do dalin në zgjedhje. Pasi kjo shton mundësinë e gabimit, zakonisht është më korrekte që të merren parasysh vetëm të deklaruarit në anketë dhe të krahasohen me përqindjen e atyre që dalin të votojnë, pa ata që abstenojnë. Ja si duket anketa e treshes në këtë variant:
Anketa Dhjetor2016 Rezultatet 2016 Gabimi
VMRO 37.6% 38.0% -0.3%
LSDM 31.3% 36.8% -5.4%
BDI 10.7% 7.3% +3.4%
Besa 4.4% 4.9% -0.5%
Aleanca 3.1% 3.0% +0.1%
PDSH 5.3% 2.6% 2.7%
Tjerë 7.6% 4.4% 3.2%
Pra edhe nëse eliminojmë faktorin “të papërcaktuar” dhe ata që nuk dalin në zgjedhje, anketa ngelet me problemet e njëjta –favorizim i skajshëm i BDI-së. Madje kështu gabimi është edhe më i theksuar”, konstaton ai në analizën e bërë për gabimet drastike të anketës së institutit M Prospekt në vitin 2016.