Integrimi i Maqedonisë në NATO do të ulte ndikimin e Rusisë në Maqedoni. Kështu ka deklaruar ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, në një intervistë për agjencinë “Blumberg”, në të cilën thotë se po bëhen përpjekje të fuqishme për anëtarësim të vendit në aleancë me qëllim që të mbrohet vendi nga ndikimi rus në punët e brendshme.
RADMILLA SHEKERINSKA, MINISTRE E MBROJTJES
“Edhe para zgjedhjes së kabinetit të ri ishit dëshmitarë të ‘shpërndarjes’ së informacioneve për tentimin e Rusisë që të arrijë ndikim në fushat kyçe politike dhe në fushën e sigurisë. Jemi të shqetësuar për këtë fakt. Besojmë se anëtarësimi i Maqedonisë në NATO mund të thotë fund të këtyre tentimeve”
Shekerinska ka theksuar se Qeveria e Zoran Zaevit insiston për përmirësimin e marrëdhënieve me Greqinë e cila për shkak kontekstit me emrin po bllokon qasjen e Maqedonisë në NATO.
Ajo ka folur edhe për zbatimin e reformave të cilat sipas planit duhet të zbatohen në afat prej 9 muajve, në mënyrë që të përshpejtohet procesi për anëtarësim në NATO.
RADMILLA SHEKERINSKA, MINISTRE E MBROJTJES
“Do të bëjmë gjithçka për zbatimin e këtyre reformave, por po ashtu kërkojmë që vendet anëtare të NATO-së të vlerësojnë këto përpjekje, si dhe rezultat sa më shpejt që është e mundur”.
Shekerinska ka thënë se sfidat kryesore janë sundimi i drejtësisë dhe pavarësia e gjyqësorit.
Enis Murtezi

