Regjistri Qendror ishte mes institucioneve të para që iu bashkua platformës së ndërveprimit dhe sot ai shkëmbim i informatave mes institucioneve zhvillohet në mënyrë standarde, të sigurt dhe të unifikuar, duke mundësuar shërbime pa letër, pa pritje dhe pa burokraci të panevojshme. Regjistri Qendror në platformën për ndërveprim në nivel mujor kryen mbi 100 mijë transaksione, deklaroi ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski në shënimin e 24 vjetorit të Regjistrit Qendror.
Regjistri Qendror, sipas Andonovskit, është një institucion i cili 24 vjet është një motor i rëndësishëm për lëvizjen e ekonomisë së Maqedonisë dhe Ministria e Transformimit Digjital e sheh atë si një nga partnerët kyç dhe bartës të vizionit për një shtet modern, digjital dhe transparent.
“Në dy dekadat e fundit si shtet arritëm ta ndërtojmë Regjistrin Qendror si simbol i një administrate moderne dhe efikase, një institucion i cili sot menaxhon me dhjetëra regjistra, ofron mbi 100 shërbime dhe është adresa e parë për secilin që dëshiron të fillojë biznes në Maqedoni”, tha Andonovski.
Për të arritur një shtet prosperitar në të cilin digjitalizimi i qëndrueshëm përmirëson jetën e qytetarëve, nxit përpjekjet për luftë kundër korrupsionit, tërheq investime të huaja dhe mundëson inovacione, sipas Andonovskit, duhet të investojmë në institucione moderne dhe digjitale.
“Rrjedha e pandërprerë e informatave mes institucioneve lehtëson sigurimin e shërbimeve publike të përshtatura sipas nevojave të qytetarëve dhe kompanive. Shkëmbimi i tillë i informatave rrit efikasitetin gjatë punës dhe rrit kënaqësinë nga shërbimet e ofruara. Në 12 muajt e fundit institucioni zhvilloi jë katalog të shërbimeve për shfrytëzuesit dhe e integroi identifikimin elektronik përmes profilit të uslugi.gov.mk, një hap që e çon Maqedoninë më afër modelit evropian të ofrimit të shërbimeve elektronike. Është e shkëlqyeshme mundësia që të gjithë qytetarët t’i shfrytëzojnë shërbimet elektronike të Regjistrit Qendror përmes platformës së ministrisë për Transformim Digjital, kjo thjeshtë do të thotë se çdo qytetar pavarësisht se ku gjendet me një profil mund të ketë qasje edhe në Regjistrin Qendror dhe te të gjitha institucionet tjera pa mbajtur mend dhjetëra fjalëkalime dhe emra të shfrytëzuesit”, deklaroi Andonovski.
Me Regjistrin Qendror, theksoi Andonovski, punojmë së bashku në hapat e ardhshëm zhvillimor në drejtim të digjitalizimit të plotë të shërbimeve, integrim ende më të madh me sistemet evropiane dhe krijimin e kushteve ku sipërmarrësit e rinj dhe investitorët do të marrin shërbim të shpejtë, të sigurt dhe transparent.