VMRO-DPMNE ka reaguar lidhur me situatën e krijuar në Gostivar, duke shprehur shqetësim për dyshimet rreth sigurisë së ujit të pijshëm dhe duke kërkuar hetim të menjëhershëm nga institucionet kompetente.
“Ky është fytyra e vërtetë e pushtetit lokal në Gostivar, i udhëhequr nga koalicioni LSDM, BDI dhe Taravari. Për shkak të dyshimeve se janë vendosur pompa në ujërat e zeza me qëllim rritjen e presionit në rrjetin e ujësjellësit, shëndeti i qytetarëve është vënë drejtpërdrejt në rrezik”, deklaroi Martin Andonovski, kryetar i OK të VMRO-DPMNE-së në Gostivar.
Sipas tij, më shumë se 1000 qytetarë kanë shfaqur simptoma helmimi, ndërsa dyshimet janë se shkaku mund të jetë ndotja e ujit të pijshëm që furnizon banorët e Gostivarit. Për këtë rast, më herët raportoi edhe TV SHENJA.
Andonovski vlerësoi se mënyra e menaxhimit të pushtetit lokal tregon, sipas tij, mungesë kapaciteti dhe përgjegjësie nga ana e LSDM-së, BDI-së dhe Taravarit për drejtimin e komunës.
“VMRO-DPMNE qëndron pranë qytetarëve të Gostivarit. Banorët meritojnë një jetë me dinjitet dhe siguri, jo të jetojnë në frikë për shkak të vendimeve dhe menaxhimit të papërgjegjshëm”, u shpreh Andonovski.
Ai kërkoi që institucionet kompetente ta zbardhin sa më shpejt rastin dhe të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për të përcaktuar përgjegjësinë.
MARKETING


