Inspektorati Administrativ Shtetëror ka kryer një inspektim të jashtëzakonshëm në shkallë të gjerë në Institutin e Shëndetit Publik, ndërsa bëhet fjalë për një lajmërim anonim se, punonjës në departamentin e administratës në Institutin e Shëndetit Publik, dyshohet se janë punësuar ilegalisht, pa respektuar dispozitat e Ligjit për Administratën.
Megjithatë, ankesa anonime drejtuar Inspektoratit më shumë mban “mllef antishqiptarë” sesa veprime antiligjore. Konkretisht, në ankesë theksohet se “Instituti është trajtuar si kompani private nga strukturat e mëparshme drejtuese” dhe se “shpalljet për zyrtarët administrativë janë publikuar vetëm në shtypin ditor dhe më pas nuk janë bërë as provime për nëpunës administrativ dhe as përzgjedhje”. Këtu, siç merr vesh gazeta KOHA, aludohet në drejtuesit shqiptarë të këtij Institucioni, ndërsa është pikërisht drejtoresha e re e Institutit, Marija Andonovska ajo e cila dëshiron ta pastrojë institucionin nga shqiptarët.
Në asnjë institucion shëndetësor, punonjësit nuk i janë nënshtruar asnjëherë provimit në Agjencinë e Administratës, ndërsa këtë nuk e kanë bërë edhe punonjësit e Qendrës për Shëndet Publik në Shkup. Qëllimi, siç merr vesh gazeta KOHA, është largimi i tre-katër punonjësve shqiptarë në administratën e Institutit, të cilët njëjtë sikurse të gjithë punonjësit në institucionet shëndetësore, nuk janë të detyruar të japin provimin e Agjencisë për Administratë.
Ndryshe, që ditën e parë si drejtore e Institutit, Andonovska nisi me shkarkimin e shqiptarëve nga detyrat udhëheqëse, ndërsa për çdo ditë kryen mobing ndaj të punësuarve. Ka ndaluar përdorimin e gjuhës shqipe, ndërsa në një zyre, ka grumbulluar shqiptarët, të cilët ajo i konsiderohen si “të padëshiruar” dhe “të papërshtatshëm për vendin e punës të cilin e zotojnë”.
Se është e ngarkuar me shqiptarofobi, Andonovska e dëshmoi edhe para disa muajve kur kërkoi hetime nga Prokuroria duke akuzuar se ndonjëri nga punonjësit shqiptarë, qëllimshëm ka shkatërruar material mjekësor, duke i hequr nga priza elektrike frigoriferët e Institutit. Pas hetimeve, doli se materialet nuk janë dëmtuar asnjëherë dhe se nuk ka patur asnjë vepër penale nga asnjë i punësuar në Institut. (koha.mk)