Ish kryetari i Komisionit për Mbrojtje nga Diskriminimi, si ekspert me propozim të avokatëve të Goran Grujoskit dhe Nikolla Boshkovskit, sot është dëgjuar si dëshmitar në Gjykatën e Selanikut. Gjatë ditës pritet që Gjykata të miratojë vendim të shkallës së parë me kërkesë të autoriteteve të Maqedonisë për ekstradimin e dy agjentëve, njofton Portalb.mk.
Dashtevski, në opinion njihet si person i afërt me partinë VMRO-DPMNE, i cili vazhdimisht nëpër mediat e afërta me opozitën e tanishme, thirret si analist për t’i mbrojtur interesat e Nikolla Gruevskit.
“Sot ka vazhduar dëgjimi i dëshmitarëve. U dëgjua Dashtevski, i cili nga ana e Gjykatës u pyet për aspektet juridike të procedurës në kuptimin e konventave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Ai do të jetë dëshmitari i fundit nga ana e Gjykatës i cili pritet që të japë vendim të shkallës së parë gjatë ditës së sotme”, deklaroi avokati i palës mbrojtëse, Petar Vasilev.
Siç tha ai, varet nga vendimi, nëse do të dorëzojnë ankesë.
Vendimi, sipas ligjeve greke publikohet menjëherë, ose më së voni në afat deri më 24 orë.
“Ne presim që Gjykata ta hedh poshtë vendimin për ekstradimin e Grujoskit dhe Boshkovskit”, tha Vasilev.
Për ekstradim në Greqi, vendos këshilli që më së shpeshti përbëhet prej tre anëtarëve, dy gjykatës dhe një prokuror, në seancë të hapur, përveç nëse nuk dorëzohet kërkesë speciale që dëgjimi të bëhet pas dyerve të mbyllura. Pikërisht ashtu ishte rasti me ish-shefat e Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim. Njëri nga avokatët e seancës kaluar kërkoi që gjykimi të jetë i mbyllur për opinionin, për shkak mbrojtjes së personave për të cilët është kërkuar ekstradim.
Avokati Kostas Haxijoanu këtë kërkesë e ka mbështetur me konfirmimin se Grujovski dhe Boshkovski në Maqedoni janë në rrezik nga kërcënimet e organeve e rendit.
Me 29 nëntor është shtyrë seanca e parë për ekstradim pas kërkesës dhe dokumentacionit të dërguar nga pala maqedonase, me 13 dhjetor në rol si dëshmitar i parë, këshilli i gjykatësve e dëgjoi dëshminë e avokatit të të akuzuarve, Petar Vasilev.
Krahas vjedhjes së pasaportave, Grujovski dhe Boshkovski akuzohen edhe për shkatërrim të dokumenteve dhe për të njëjtën vepër penale, më 8 nëntor Gjykata Penale e ka shpallur aktvendimin për shtatë të akuzuarit në rastin “Fortesa 2”, si rast i parë nga dhjetëra raste të Prokurorisë Speciale Publike (PSP). Goran Grujovski, ish kryeshef në Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim është dënuar me 1 vit e gjysmë burg, ndërkaq gjashtë zyrtarët tjerë janë dënuar me burgim me kusht, nëse nuk e përsërisin veprën.