Analistët të ndarë në dy grupe: Ca besojnë e dyshojnë në paketën e re të ministrave
29.05.2017
Vetëm një ditë më parë u publikuan edhe emrat e ministrave që do të jenë pjesë e qeverisë së re.
Dhe siç ndodh gjithmonë në raste të tilla, të menjëhershme ishin reagimet e qytetarëve, partive, organizatave jo-qeveritare. Rrjeti social Facebook, u mbush me postime që u dedikoheshin pikërisht këtyre emrave të përzgjedhur nga partitë shqiptare për të drejtuar ministrit përkatëse, shkruan Almakos.
Disa i thumbonin, disa i vlerësonin, e disa të tjerë preferonin të mos merren me vlerësime, pa shikuar rezultate konkrete.
Si i vlerësojnë analistët emrat që do të drejtojnë disa ministri në kuadër të Qeverisë së re?
Analisti Xhelal Neziri , e shikon me skepticizëm këtë përzgjedhje.
“Nuk është një përbërje që premton reformat e paralajmëruara. Përderisa ka emra me biografi të varfra, pa asnjë arritje në sferën profesionale, nuk mund të pritet ndonjë ndryshim pozitiv. Do të jetë një qeveri që do të funksionojë rëndë, me ç’rast do të ketë përplasje midis atyre që kanë vizion evropian për vendin dhe atyre që do të tentojnë të vazhdojnë me praktikat korruptive”, tha Neziri.
Me më shumë besim, ndryshe prej tij, shprehet analisti Albert Musliu.
Musliu vlerëson se zërat dyshues se a do të jetë qeveria reformatore apo jo, janë të panevojshëm. Sipas tij, çdo gjë varet nga lokomotiva.
“Qeveria do ta ketë një kryeministër dhe nëse partnerët e koalicionit janë marrë vesh se si do të funksionojnë, atëherë s’kemi pse dyshojmë në individët e përzgjedhur për ministra”, shton më tej analisti Albert Musliu. Sipas Musliut, “do të ketë obstruksione nga VMRO-DPMNE, por nuk do të ketë qeverisje si kjo që po ikën”.
“Qytetarët veçmë janë vetëdijesuar dhe nuk do të lejonin të kthehet një regjim i tillë”- thotë Musliu.
Ndryshe, Lideri I LDSM-së, më herët gjatë të hënës tha për mediat, se deri në mërkurën në mbrëmje pret që Qeveria të jetë gati. Pjesë e Qeverisë nuk do të jetë Lëvizja Besa, por nga kjo parti kanë pohuar se do të mbështesin çdo vendim të qeverisë së re, që është në dobi të shqiptarëve.
Almakos.com
Evi Shkopi