Qeveria e ardhshme do të ballafaqohet me konglomerat të problemeve, për të cilat duhet të marrë përgjegjësi për t’i zgjidhur ato. Kështu vlerësojnë analistët politik, sipas të cilëve çështjet të cilat duhet të zgjidhen janë të niveleve të ndryshme. Analisti Agim Jonuz, deklaron se gjithçka varet se problemet e cilit nivel do të angazhohet qeveria e ardhshme që t’i zgjidhë, ndërsa është i sigurt se apatia do të vazhdojë edhe një periudhë të caktuar në këtë shtet
“Një është niveli i zgjedhjes së problemeve që duhet të zgjidhen siç janë përndjekja e kriminelëve, Prokuroria Speciale Publike, zgjidhja e çështjes së emrit e kështu me radhë. Por, tjetër është e atyre elementareve të cilat e përmirësojnë standardin e jetesës dhe sjellin kualitet të jetesës më të mirë të pupullatës. Kjo nënkupton ekonomi më të shëndoshë, nënkupton ndërmarrje të hapave të cilat do t’u sjellin ndryshime reale, të dukshme dhe kualitative”, ka deklaruar Agim Jonuz, analist politik.
Gazetari Naim Sinani vlerëson se në radhë të parë partitë politike shqiptare do të duhet të këmbëngulin për çështjet kyçe të cilat më shumë se një dekadë nuk po gjejnë zgjidhje.
“Gjithsesi duhet ta kenë parasysh se është koha e fundit që të mbyllen çështjet që i tangojnë shqiptarët. Që do të thotë se nuk duhet më të vazhdojmë të bisedojmë rreth asaj se ku është zyrtare gjuha shqipe dhe ku nuk është, do të thotë kjo çështje duhet të mbyllet përfundimisht. Por gjithsesi shqiptarët duhet të ekzistojnë, duhet të jetojnë që do të thotë se definitivisht duhet të hudhet vëmendja edhe tek çështja e buxhetit që do të thotë se edhe hisja e shqiptarëve prej buxhetit patjetër duhet të merret”, ka thënë gazetari Naim Sinani.
Ndërsa sipas analistit Agim Jonuz, kryeministër që do të përballet me të gjitha këto probleme njëkohësisht nuk ekziston.
“Për shkak se kushdo që të vijë do të ballafaqohet me një konglomerat të problemeve të cilat nuk do t’i lejojnë që të ndryshohen shpejtë, në mënyrë kualitative dhe të dukshme”, ka thënë më tej Agim Jonuz.
Analistët po ashtu vlerësojnë se gjëja e parë që duhet ta bëjë qeveria e ardhshme, duhet të kthejë besimin e popullit tek institucionet.
Mefail Ismaili /SHENJA/
Analistët: Qeveria e re e ngulfatur nga problemet by tvshenjaofficial