16 April
Njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se presidenti Ivanov me qëndrimet e fundit po e zhyt vendin në një krizë akoma më të thellë. Madje sipas Petar Arsovskit përpara se të kërcënojë Zaevin me burg, Ivanov duhet të përgjigjet për shkeljet flagrante të kushtetutës.
Ai kërcënon Zaevin me po të njejtat gjëra për të cilat vet ai duhet të thirret në përgjegjësi duke marrë parasysh se në mënyrë eklatante ka shkelur kushtetutën me mos dhënien e mandatit. Kjo Maqedoninë do ta çojë në një krizë më serioze. Unë mendoj se për personat zyrtarë patjetër të ketë ndonjë përgjegjësi ligjore kur të përfundoj ky proces – tha analist Petar Arsovski.
Profesori Mersel Bilalli vlerëson se qëndrimet e Ivanovit janë kundërthënëse dhe se akuzat në adresë të kryeministrit shqiptar Edi Rama nuk mbajnë fare. Sipas Bilallit, presidenti dëshmoi se platforma shqiptare nuk ka qenë pengesë për formimin e qeverisë.
Maqedonia objektivisht është kundër gjithë botës vazhdimësi e një politike të tillë destruktive, fundja nga vet deklarata ai është kontradiktor mbasi vet potencon se paska pas qeveri dhe njëfarë telefonate e paska prish dmth problem nuk qenka as Rama as platforma po qenka diçka tjetër një telefonat e paidentifikuar që bie ndesh me gjithë ajo ushtrohet si kampanjë muaj me radhë – tha profesori universitar Mersel Bilalli.
Ivanov në intervistën për austriaken “Viener Cajtung” një ditë më parë theksoi se BDI dhe VMRO DPMNE-ja kishin arritur marrëveshje për koalicion, por gjithçka kishte prishur një telefonatë. Për krizën politike në vend Ivanov fajësoi edhe Bashkimin Europian, Amerikën, Edi Ramën dhe partitë shqiptare në Maqedoni.
Alsat M