Analisti politik nga Shqipëria Fitim Zenkthi në emisionin “Arena” tha se Maqedonia është një nga shtetet më në krizë në Ballkan. Sipas tij partitë shqiptare kanë dështuar dhe nuk kanë arritur të plotësojnë asgjë nga ajo që është pritur prej tyre, duke filluar edhe nga viti 2001.
“Ajo që është shqetësuese është fakti se ata nuk janë parti politike vetëm të korruptuara, por ata janë shndërruar në zgjatime të Gruevskit dhe qeverisë së tij”, tha Zekthi.
Megjithatë Zenkthi tha se ekziston një lloj shprese pasi që është paraqitur një parti e cila “po përpiqet të ofroj një alternativë, të ngrihet mbi rrënojat që ka ndërtuar BDI-ja dhe PDSH-ja gjatë gjithë këtyre viteve”.
Ndërkaq analisti tjetër Ergys Mertiri, tha se në Maqedoni nuk ka pasur nevojë për përgjimet për të parë se dy partitë politike shqiptare nuk e kanë përfaqësuar si duhet interesin e shqiptarëve dhe kjo është shumë evidente dhe e prekshme.
“ Mjafton që të kalosh dy anët e Vardari dhe kupton çfarë kontrasti i madh, që është totalisht i papranueshëm, totalisht jo i perceptueshëm për një shtet demokratik, një diferencim i tillë”, tha analisti politik Mertiri, ndërsa ka veçuar si pozitive momentin se në Maqedoni ka një moment kthesë, një shpresë e re që ka mbledhur ngatë vetes aq njerëz që janë të gatshëm të ndëshkojnë politikat dhe braktis politikat që nuk e përfaqësojnë.
Sipas analistit politik Agim Baçi, shqiptarët gjatë kësaj kohe kanë humbur edhe disa gjëra të cilat i kanë fituar në vitin 2001.
“Ajo që është më e trishtër është se deri në vitin 2001 ëndërroni se do t’i zgjidhin në moment që do të arrihet një marrëveshje. Momentin që është arritur marrëveshja dhe këta kanë qenë në Qeveri dhe janë sjellë në atë mënyrë, duke marrë parasysh vetëm përgjimet pa ditur gjëra tjera dhe pa u futur në thellësi tjetër, tregon se nuk kanë patur vetëdijen e tyre se janë aty për të përfaqësuar vullnetin e shqiptarëve si pjesë e bashkëqeverisjes dhe si një pjesë e domosdoshme e Maqedonisë”, ka thënë Baçi, duke thënë se partitë shqiptare, sidomos BDI nuk ka arritur të perceptoj forcën e saj, se pa shqiptarët ky shtet nuk mundet të ekzistoj. /SHENJA/