“Nuk ka mandat për asnjë njeri dhe parti që pranon Platforma të gatuara në shtetet e huaja dhe që cenojnë integritetin e shtetit tonë”, kështu është shprehur presidenti i shtetit në Maqedoni, Gjorgje Ivanov në pres konferencën e sotshme, ku pritej ti dorëzohet mandati për formimin e qeverisë së re kreut të LSDM-së, Zoran Zaev.
Sipas tij, qytetarët nuk kanë votuar për Platforma postzgjedhore të një etnikumi, por kanë zgjedhur platformat partiake.
Derisa të jetë, Ivanov në postin e presidentit të shtetit, siç thotë ai, asnjëherë nuk do të lejojë që të shkelet sovraniteti shtetëror.
Poashtu, Ivanov tha se pranimi i Platformës së përbashkët të partive shqiptare paraqet vepër penale, në këtë formë duke e paralajmëruar liderin e LSDM-së, që të tërhiqet nga ëndërra për tu bërë kryeministër me kushtin e pranimit të kësaj platforme.
Ivanov kishte edhe një porosi për faktorin ndërkombëtar, me ç’rast kërkoj nga ata nëse nuk e dënojnë tentativën e dikujt për ti cenuar interesat shtetërore, atëherë mos të imponojnë çfarëdo zgjidhje për Maqedoninë.
Ndaj vendimit të presidentit Ivanov, kanë reaguar personalitete të ndryshme, të jetës shoqërore. Njëri ndër to është edhe profesori universitar, Fadil Maloku. Sipas tij, e vetmja mënyrë për funksionimit e shtetit të Maqedonisë është implementimi i standardeve evropiane dhe multietnike.
“Z. Ivanov, e do shtetësinë e re (Maqedone), apo etninë e vjetër (Bullgare)?! 1.Si demokracinë ashtu edhe shtetin maqedon e shpëton vetëm standardi europian i barazisë gjuhësore multietnicitetit, dhe multifetarizmit e multikulturalizmit. 2.Si shoqëri tipike multietnike, qytetarët e dy komuniteteve, atje duhet më shumë t’u frikohën padrejtêsive; ekonomike, sociale dhe politike të pushtetarëve, se sa padrejtësive komunitare! 3.Prolongimi i realizimit të këtyre top standardeve perëndimore, dosido i vë në dyshim themelet e vetë etnisë dhe shtetit maqedon!”, kështu për Almakos, ka deklaruar profesori universitar, Fadil Maloku.
Nga ana tjetër kryetari i organizatës joqeveritare, Eco Guerilla, Arianit Xhaferi vendimin e presidentit Ivanov për mos t’ia dhënë mandatin LSDM-së, e sheh si tentativë e tij që me çdo kusht qeveria e re të krijohet nga ana e VMRO-së. Andaj ai fton gjithë politikanët shqiptarë të tërhiqen nga çfarëdoqoftë koalicionimi me VMRO-në.
“Gjorge Ivanov do me çdo kusht qeveri të VMRO. Partitë shqiptare duhet ta bojktojnë VMRO, me çdo kusht! Sidomos pas protestave fashiste antishqiptare të ditëve të fundit, si dhe pas asaj fushate fashiste që VMRO pati para zgjedhjeve.
Cilido politikan shqiptar që do bisedojë tash e tutje me VMRO-në apo me Ivanovin, do jetë armik i popullit të vet!
Vdekje fashizmit!”, shkroi në rrjetin social facebook, Arianit Xhaferi./Almakos