Analistët shqiptarë në Maqedoni vlerësojnë se në komunat ku kandidatët e BDI-së për kryetarë do të bien nga gara që në raundin e parë, do të krijohen kushte që rrethi i dytë të kalojë pa incidente. Sipas kryeredaktorit të gazetës Lajm, Isen Saliu, këtë e tregojnë edh shumë raporte të OSBE-ODIHR-it për zgjedhjet në Maqedoni, ku BDI përmendet në pjesën kushtuar presioneve ndaj votuesve.
“BDI përmendet në shumë raporte të OSBE/ODIHR, por edhe në raporte tjera, në pjesën ku flitet për presionet ndaj votuesve dhe mediumeve. Prandaj mendoj se mban konstatimi juaj se procesi zgjedhor do të jetë më i qetë në raundin e dytë zgjedhor në komunat ku kandidati i BDI-së do të bie që në raundin e parë”, thotë Saliu, duke u përgjigjur në pyetjen tonë.
“Mendoj se votuesit shqiptarë janë lodhur nga incidentet zgjedhore, prandaj edhe do t’i ndëshkojnë që në raundin e parë partitë që kanë prirje për të shkaktuar incidente zgjedhore. Është koha e fundit që votuesit shqiptarë të tregojnë vetëdije më të lartë demokratike se votuesit maqedonas”, thekson Saliu.
Agron Ferati , politolog i diplomuar, vlerëson se dhuna dhe incidentet zgjedhore janë bërë pjesë e “demokracisë së brendshme” në BDI, sepse njerëz të kësaj partie që janë akuzuar për dhunë dhe vjedhje zgjedhore, mbajnë poste të larta. Ai nuk ngurron t’i përmendë edhe emrat e këtyre funksionarëve.
“Është fakt se njerëz të BDI-së që mbajnë poste të larta partiake dhe pushtetin ekzekutiv, janë të dyshuar dhe të akuzuar nga Prokuroria Publike dhe nga Prokuroria Speciale Publike për incidente dhe vjedhje zgjedhore. Në mesin e tyre siç e din mbarë opinioni është Talat Xhaferi, kryetar i Parlamentit, Ejup Halimi deputet, Ismet Guri, ish zyrtar i lartë në DAP”, thotë Ferati.
Sipas tij, partnerëve maqedonas të BDI-së, u konvenon që në pjesët shqiptare të ketë dhunë dhe incidente zgjedhore, me qëllim që komuniteti ndërkombëtar të mos i vërejë parregullsitë zgjedhore që ndodhin në Maqedoninë Lindore.
“Për këtë arsye Talat Xhaferi, Ejup Halimi, Ismet Guri janë njësoj të pranueshëm edhe për LSDM-në edhe për VMRO-në, ose siç u thonë “i nash, i vash”. Është koha që ata që kanë të kaluar të keqe sa i takon zgjedhjeve, të dënohen nga votuesit shqiptarë bashkë me subjektet e tyre”, thekson Ferati.
Rrethi i parë i zgjedhjeve lokale në Maqedoni mbahet më 15 tetor, kur do të votohet për kryetarë komunash dhe për këshilltarë në Këshillet komunale. Raund të dytë do të ketë më 29 tetor, por vetëm për kryetarë komunash, në komunat ku në raundin e parë asnjëri prej kandidatëve nuk do të fitojë mbi 50 për qind të votave, nga numri i përgjithshëm i votuesve që do të dalin në votime. Sipas parashikimeve, raund të dytë zgjedhor do të ketë në shumicën e komunave, e veçanërisht në ato më të rëndësishmet./Almakos