Ekspertët politik bëjnë apel për një bojkot të Nikolla Gruevskit dhe partisë së tij në mënyrë që të mos arrijë të formojë Qeveri. Sasho Ordanovski dhe Mersel Bilalli besojnë se mundësia e vetme për dalje të Maqedonisë nga kriza është koalicioni i gjerë mes LSDM-së dhe dy ose tre partive shqiptare me të cilët do të ketë numrin e mjaftueshëm të mandateve për formimin e Qeverisë. Sasho Ordanovski beson se BDI-ja nuk do t’ia lejojë vetes të bëjë përsëri koalicion me VMRO-DPMNE-në në kushte kur pikërisht për shkak të koalicionimit me VMRO-në i humbi afro 67 mijë vota. Por, ai beson se me ankesat e partive dërguar KSHZ-së do të ndryshojë edhe rezultati i zgjedhjeve, i cili do të nxjerr LSDM-në si fituese dhe BESËN më afër BDI-së.
“Këto rezultate fillestare ka gjasa që të ndryshojnë pas ankesave. Duhet të presim nëse pranohen ankesat pasi ka dallime të vogla votash. Kur të formohet parlamenti, para se të mbërrijmë në bisedimet për koalicione, nuk do të habitesha nëse ndonjë deputet ndërron anën pasi dallimi është shumë i vogël dhe çdo mandat mund të bëjë ndryshim. Në këtë moment mendoj se versioni më i pamundshëm është koalicioni VMRO-BDI pasi BDI tashmë e ka humbur më shumë se gjysmën e mbështetjes për shkak të koalicionit me VMRO-në dhe besoj se nuk do të bëjë vetëvrasje politike përsëri të hyjë në koalicion me këtë subjekt”, deklaroi analisti politik Sasho Ordanovski.
Mersel Bilalli thotë se çdo kombinim është në lojë dhe është herët të flitet për ndonjë koalicion pa dalë rezultatet pas ankesave. Por, ai beson se i vetmi kombinim, i cili do ta ndihmonte Maqedoninë drejt rrugës së reformave është ai LSDM, BESA, BDI, Aleanca për Shqiptarët dhe nëse ka nevojë edhe PDSH. Por, asesi Qeveri me Nikolla Gruevskin.
“Mendoj se njëherë duhet të pritet se çfarë do të bëhet me ankesat pasi objektivisht ka pasur shumë manipulime direkte dhe indirekte. Pala shqiptare ka moment historik që definitivisht elementeve fashizoide që vjellin vrerë ndaj shqiptarëve që ti çojë në histori. Në qoftë se këtë nuk e bëjnë, do të kenë përgjegjësi historike… Është politika e një liliputi i cili e mbulon kriminalitetin e vet me nënçmimin total të popullit shqiptar, prandaj do të ishte tragjedi nëse ndonjë subjekt politik shqiptar do ti bashkëngjitet…LSDM-ja me gjithë partitë shqiptare, objektivisht kjo është e mundshme”, tha analisti politik Mersel Bilalli.
Ordanovski dhe Bilalli janë të sigurt se koha e VMRO-DPMNE-së ka përfunduar dhe tani është radha e partive shqiptare për t’i dhënë fund krizës.
“Ekziston një koalicion i sigurt në anën tjetër që do të nënkupton të paktën tre ose katër parti. Nëse më pyetni mua ashtu siç qëndrojnë tani punët, pa gjithë këto shkelje që ende nuk kanë epilog, partia më e sigurt opozitare është VMRO-DPMNE-ja. Ata nuk kanë me kë të formojnë Qeveri pasi asnjë parti shqiptare nuk është e çmendur që të koalicionojë me ta pasi e kanë parë disponimin e shqiptarëve”, tha më tej Ordanovski.
“Nëse subjektet shqiptare nuk dalin me një qëndrim të prerë atëherë do të bëhet një Qeveri ekspertësh e cila nuk do të ndryshojë diçka në mënyrë spektakolare. Është me rëndësi që të bëhet Qeveri politike ku VMRO-ja do të jetë opozitë. Atëherë do të tejkalohet edhe kriza edhe do të çmontohet krimi i organizuar”, shtoi Bilalli.
Ekspertët thonë se nëse dështojnë të gjitha mundësitë për ndryshimin e rezultatit pse për koalicionim mes partive shqiptare dhe LSDM-së, ka gjasë që me presion ndërkombëtar të formohet ndonjë koalicion i zgjeruar por që nuk do të ketë jetëgjatësi dhe përsëri ka gjasë që shpallen zgjedhje.
Ferikan Iljazi /SHENJA/