Situata aktuale politike, sipas analistëve, tanimë nuk mund të cilësohet si një krizë politike dhe institucionale, por si kaos i pakontrolluar i jetës shoqërore dhe politike.
Sipas analistit politik, Branko Gerovski, nuk pritet ndonjë ndryshim spektakular i situatës, të paktën deri pas festës të pashkëve, pasi sipas tij, akoma nuk ka gatishmëri nga pakica parlamentare që seanca konstituive të vazhdojë normalisht. Ndërkaq, as shumica parlamentare, sipas Gerovskit, nuk planifikon ndonjë lloj aksioni për zgjedhje të shpejtë të kryetarit, nëse e njëjta do të ishte jashtë kornizave të të drejtave të rregullores.
“Mendoj se LSDM dhe partnerët e koalicionit, respektivisht partitë që kanë shumicën, do të shkojnë hap pas hapi, që t’i përdorin të gjitha mundësitë e rregullores, pa shkaktuar krizë plotësuese, të vijnë deri te qëllimi I dëshiruar, zgjedhje të kryetarit të Kuvendit dhe më pas formim të Qeverisë”, ka thënë Branko Gerovski, analist politik.
Analisti politik Mersel Bilalli, pret që ditët në vijim të përfshihen elemente relevante të faktorit ndërkombëtar, të cilët sipas tij, janë shumë të brengosur për paqen dhe sigurinë jo vetëm brenda Maqedonisë, por në të gjithë rajonin.
“Ky është një dirigjim i strukturave të kriminalizuara të cilët dëshirojnë me çdo kusht ta mbajnë pushtetin dhe mundësisht ta ngritin çmimin të cilin ato e presin dhe ata mund të bëjnë njëfarë tregu apo pazari personal, me qëllim që të amnistohen nga një pjesë e përgjegjësive të tyre, por unë nuk besoj se ka faktorë momentalisht që ata mund ta ofrojnë. Dhe unë pres një presion shumë të fuqishëm, përsëri them në emër të paqes dhe sigurisë edhe të brendshme edhe rajonale”, ka deklaruar Mersel Bilalli, analist politik.
Përndryshe, tanimë për dhjetë ditë po zgjat seanca konstituive në të cilin duhet të zgjidhet Komisioni për Zgjedhje dhe Emërim, dhe më pas edhe kryetari i Kuvendit. Ditën e parë, për të debatuar në seancë janë paraqitur 57 deputetë, 51 prej të cilëve, deputetë të VMRO-DPMNE-së, ndërkaq sipas procedurës së rregullt për secilin folës, janë paraqitur edhe nga dhjetëra ndërhyrje. Thuajse java e dytë që po zhvillohet seanca dhe kanë diskutuar vetëm tre deputetë.
Ajnur Bafqari /SHENJA/
Analistët: Kjo nuk është krizë politike, por kaos by tvshenjaofficial